Gazetari Sokol Bregu ka folur për ekzekutimin e 33 vjeçarit Ramazan Mataj në Shkodër.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Bregu tha se policia ka mbetur e habitur nga ngjarja pasi nuk kanë identifikuar ende ndonjë konflikt të viktimës, i cili u vra me 14 plumba në trup.

“Nuk është një krim që i përket krimit të organizuar, mund të jetë person i krimit të organizuar por jo krim i organizuar. Nuk ka asnjë precedent penal, asnjë problematikë. Krimi është në kufijtë e perfektes. Edhe familja kërkon të zbardhet ngjarja dhe hedh idenë e vetëgjyqësisë.

Pista e parë është rrjetet sociale, mund të jetë një ngatërresë e tij në këto rrjete. Kjo është pista që po hetojnë sepse kanë mbetur mjaft të habitur sepse nuk ka asnjë problematikë tjetër.

Një familje normale, nën mesataren, dolën edhe pamjet e shtëpisë. Edhe policia është gjendur si e çuditur. Duket se është një hakmarrje e madhe por se për cfarë… Shpresoj që në ditët në vijim ta njoftojnë. Policia shqiptare në raste të tilla, ka zbulueshmëri të lartë, kur bëhet fjalë për krime të tilla.

Shqipëria kishte 32 vrasje që nuk kishin lidhje me krimin e organizuar dhe 31 u gjetën. Kishte 8 vrasje të krimit të organizuar dhe nuk gjetën asnjërin”, tha Bregu.