Personi që shihni në foton e mëposhtme është 32-vjeçari Zikjan Lela, lindur në Tiranë dhe banues në Shkodër, i cili u arrestua nga Policia, pasi akuzohet se nën kërcënimin e armës, iu ka marrë celularin dy vëllezërve dhe u kërkoi para për t’ia kthyer.

Burime për mediat bëjnë me dije se ai u kap nga uniformat blu, teksa ishte duke bërë gati çantën për t’u larguar drejt Tiranës. Mësohet se ai njihet si një person i cili vendoste “gjoba” në qytetin e Shkodrës.

Sipas Policisë, 32-vjeçari dyshohet se në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër, nën kërcënimin e armës, i ka marrë një celular shtetasit E. M., 24 vjeç, i cili ishte së bashku me vëllain e tij, dhe më pas 32-vjeçari, u ka kërkuar 200 mijë lekë të vjetra për kthimin e celularit, lekë të cilat i ka marrë por nuk e ka kthyer celularin.

Pavarësisht se dy vëllezërit pretendojnë se Zikjan Lika i ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë, deri më tani mësohet se arma nuk është gjetur nga uniformat blu. Policia e Shkodrës ka sekuestruar vetëm shumën e parave dhe celularin.

Mbi 32-vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.