Policia e Shkodrës vijon hetimet për të zbardhur misterin e plumbave drejt makinës të parkuar në lagjen Partizani, në Sheshin Rus në Shkodër, mbrëmjen e 2 janarit 2025.
Pronari i mjetit, Elvis Hoxha rezulton të jetë i burgosur për dhunë në familje dhe makina qëndronte aty e parkuar prej 2 muajsh. Policia informoi se ka qenë ora 20:10 (2 janar 2025) kur nga një person që qarkullonte me një motomjet pa targa është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Peugeot të parkuar, në pronësi Hoxhës.
Policia po punon për të identifikuar personin që qëlloi dhe drejtuesin e motorit.
Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjet si dhe dëmtime të lehta dhe në një automjet të parkuar afër automjetit tip Peugeot.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit dhe të drejtuesit të motomjetit që lëvizte autori.
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme u ngritën pika kontrolli dhe u ushtruan kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme ku dyshohej se mund të ishte fshehur autori dhe bashkëpuntori i tij, drejtuesi i motomjetit, njoftoi policia.