Pothuajse ¼ e e banesave në Shqiperi janë informale, pra që nuk kanë dokument pronësie. Këtë e tregojnë dhe të dhënat e bëra publike nga vetë Agjencia e Kadastrës, sipas të cilës në këtë fazë rezultojnë të jenë mbi 230 mijë banesa pa leje apo të palegalizuara.
Për të arritur objektivin e përmbylljes së këtij procesi deri në vitin 2028, Qeveria vendosi të përfshijë edhe bashkitë. Por cili është roli që këto të fundit do të kenë? Referuar vendimit dhe marrëveshjes, bashkitë do të vendosin prioritetet dhe ritmin e planit të punës, do të përcaktojnë, se cilat zona do të kenë përparësi për të përmbyllur praktikën e legalizimit. Por, po ashtu do të asistojnë qytetarët në plotësimin e dokumentacionit, do të koordinojnë komunikimin midis palëve, si edhe do të vendosin në dispozicion burime financiare dhe njerëzore shtesë në rastet kur do të jetë e nevojshme.
Marrëveshje do të ketë jetëgjatësi një vjeçare, ç’ka do të thotë se palët do t’u përmbahen detyrimeve përgjatë një viti nga firmosja e saj.
Adelina Farrici, Drejtore e shoqatës “Për autonomi vendore”, thotë se marrëveshja duhet të kishte afate konkrete dhe deri diku kushtëzuese për vetë Kadastrën, në përmbushjen e këtij angazhimi.
Nga më shumë se 230 mijë ndërtesa pa leje në të gjithë vendin, pjesa më e madhe prej tyre janë të përqendruara në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Drejtoresha e Kadastrës Lorena Goxhobelli tha se po shihet mundësia e unifikimit të praktikave për pajisjen e qytetarëve me dokumentin e pronësisë.
Qëllimi kryesor, sipas Goxhobellit është që procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje të përmbyllet brenda afatit ligjor që është 2028, viti që do të shënjojë edhe vijën e kuqe sa i takon ndërtimeve pa leje
Por sa e mundur është përmbyllja e këtij procesi në afatet e përcaktuara nëligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësise”, pra deri në 2028 dhe sa do ta ndihmojë digjitalizimi i arkivës këtë proces?
Projekti për digjitalizimin e arkivës ka nisur në vitin 2022 dhe synohej të perfundonte në harkun e tre viteve. Por, në strategjinë afatëmesme të Ministrisë së Financës, vihet në dukje se nga 4.5 milionë pasuri vetëm 1.2 janë të digjitalizuara.
Çfarë mbetet ende sfidë, po ashtu janë edhe problemet hartografike, që janë bërë në jo pak raste edhe shkak për mbivendosje.
Në rastin e ndërtimeve pa leje, ligji përcakton, që kur për një objekt ka më shumë se një pretendim do të vijohen procedurat e legalizimit me atë që ka aplikuar më herët. Por, kjo nuk përjashton adresimin e çështjes në gjykatë, dhe kjo ndodh kur për të njejtën pasuri janë lëshuar disa tituj pronësie nga institucione të ndryshme.
Por, në asnjë rast duhet thënë, palët nuk janë të përjashtuara nga mundësia për të hyrë në një marrëveshje mes tyre. Kjo do të thotë që nëse palët duan ta zgjidhin konfliktin me anë të një marrëveshje mund ta bëjnë këtë duke shmangur kësisoj edhe një proces gjyqësor që mund të zgjasë me vite.