Kryetari i PD, Sali Berisha ka komentuar vendimin e sotëm të Apelit të GJKKO për të caktuar masën e detyrimit të paraqitjes dy herë në muaj për të.

Berisha u shpreh se ky vendim është marrë pa asnjë bazë ligjore, ndërsa e ka cilësuar si “pilulë elektorale për të pashpresin Edi Rama” mes të tjerash.

“Vendim pa asnjë bazë ligjore, pilulë elektorale për të pashpresin Edi Rama. Përpjekje e dështuar e organizatës kriminale që quhet skrap i partisë për të justifikuar veprën e tyre dhe në këtë kontekst dëshmi e re e kontrollit të plotë dhe total të skrapit nga Edi Rama, zbatimit të urdhrave të tij politikë”, u shpreh Berisha.

I pyetur nëse do ta respektojë këtë masë ndaj tij, Berisha u përgjigj pozitivisht, ndërsa shtoi se tashmë çështjen e ka dërguar edhe në gjykatën e Strasburgut.

“Unë çështjen e kam në Strasburg, vendimin do e respektoj sepse çështja siç dihet është në gjykatën e Strasburgut dhe kjo i shtohet dosjes”, tha ai.

(BalkanWeb)