Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Zërin e Amerikës foli për hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë.

Kreu i qeverisë theksoi se Reforma në Drejtësi në Shqipëri u bë falë këmbënguljes së tij dhe mbështetjes së PS. Rama deklaroi se “nuk ka asnjë habi” sa i takon punës së SPAK.

Ndërsa shton se “natyrisht që mua nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar”, por që shtoi se Shqipëria është në rrugën për t’u bërë shtet dhe pandëshkueshmëria nuk do të jetë mit.

Pjesë nga intervista

Zëri i Amerikës: A ju ka shqetësuar një numër jo i vogël ish-zyrtarësh, zyrtarësh të lartë, përfaqësuesish tuaj, kyetarë e ish kryetarë bashkish e së fundmi edhe deputetë, të cilët janë nën hetim nga SPAK-u, të paktën për shpërdorim detyre apo korrupsion?

Kryeministri Rama: Kjo pyetje më bëhet qëkur SPAK-u ka filluar të veprojë dhe gjithmonë më shkakton habi, sepse mund të më bëhej në mënyrë këmbëngulëse, nëse unë do të isha një person i gjendur gafil përballë produkteve ose rezultateve të një reforme të bërë nga të tjerë. Po unë nuk jam një person i gjendur gafil dhe reformën në drejtësi e kam bërë unë në krye dhe Partia Socialiste e gjitha në mbështetje të kësaj reforme. Kështu që, natyrisht që mua nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar, me të cilët kam bashkëpunuar nga më larg ose nga më afër, por kur bëhet fjalë për detyrën që kam, kur bëhet fjalë për misionin që udhëheq, kur bëhet fjalë për faktin se ky është një proces i dhimbshëm, përmes së cilit Shqipëria do të bëhet më në fund shteti, që nuk u bë kurrë dhe, falë të cilit në Shqipëri pandëshkueshmëria tanimë nuk është një mit, por është një monument i rrëzuar, dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga shpallja shtet më 1912-n, ka individë të lidhur me pushtetin politik, qofshin në radhët e shumicës që qeveris apo në radhët e shumicës që ka qeverisur, atëherë këtu është për t’u habitur me habinë e kujtdo qoftë, por unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis.

Zëri i Amerikës: Pyetja për shqetësimin, lidhet pikërisht me këtë, jo me faktin që ju habiteni nga kjo gjë, por a mund t’ju pyes për rastin e zotit Veliaj i përfshirë së fundmi në hetime? A e cënon kjo imazhin e Partisë suaj?

Kryeministri Rama: Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, siç ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese.

(BalkanWeb)