Qeveria shqiptare ka marrë një vendim të rëndësishëm për 15 personalitete të sferave të ndryshme si kultura, arti, sporti etj. Bëhet fjalë për emra të rëndësishëm dhe me kontribute.

Mes tyre spikat sigurisht “Mjeshtri i Madh”, Zef Çoba, kompozitor dhe dirigjent i mirënjohur. Është një vlerësim mëse i merituar për autorin e “Xhamadanit…” shumë të njohur kudo por edhe autor qindra krijimeve artistike.

Zef Çoba ka lindur në një familje qytetare shkodrane. Pasioni i tij për muzikën ka filluar që në moshë të vogël, ku dallohet si instrumentist dhe kompozitor në festivalet e fëmijëve. Ai ka mbaruar “Institutin e lartë të Arteve” në vitin 1974, në degën e dirigjimit koral.

Në vitin 1980 emërohet përgjegjës muzike në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër. Që nga viti 1981 punon pranë Radio Shkodra si gazetar i programeve muzikore. Ai është dhe pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ka kompozuar muzikën e 15 filmave shqiptarë si dhe shumë këngë qytetare shkodrane.