Moti i keq gjatë tre ditëve të fundit ka shkaktuar edhe problematika, kryesisht nga rënia e reshjeve të dëborës në zonat malore.

Më i prekur mbetet qarku i Shkodrës dhe rruga Qafë-Thore-Theth. Zona e Thethit prej dy ditësh ka pasur problematikë të bllokimit për shkak të rrëzimit të ortekëve dhe është drejt hapjes.

Në Qafë-Thore, me rënien e temperaturave dhe krijimin e sigurisë për ndërhyrje, janë aktivizuar të gjitha forcat dhe është hapur pjesa e bllokuar nga orteqet dhe po vazhdohet drejt Thethit, me pastrimin e borës që ka hedhur era, si dhe me zgjerimin e pjesës kaluese.

Borëpastrueset, informon gazetari i Report TV, Ergys Kavaja, janë në terren dhe po punojnë për të mos lejuar bllokimin e këtij aksi.

Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmoi se ka pasur problematika në këtë segment dhe se aksi Qafë-Thore është hapur, teksa po shkohet me mjete borëpastruese drejt rrugës së Thethit. Gjithashtu këshillohen shoferët që të jenë të kujdesshëm në qarkullimin me mjete në këtë zonë.