Dy notarët shkodranë të Future Sports Academy Shkodër, Arlind Hysaj dhe Arbër Hysaj vijojnë të bëjnë sërish paraqitje të tjera pozitive në sportin e notit.

Notari shkodran Arlind Hysaj ka arritur një tjetër medalje në garat e kampionatit kombëtar të Kosovës të mbajtura në datat 21-22 dhjetor në pishinën e Sport Center “Step” në Prishtinë.

Ai, së bashku me sportistin tjetër të “Future Sports Academy Shkodër” Arber Hysajn përfaqësuan Shqipërinë vetëm në garat e paradites së 21 dhjetorit.

Në këto gara, Arlind Hysaj mori 1 medalje bronzi në garën e 50 metrave stil i lirë.

Ndërkohë, një ditë më pas, këto dy sportistë morën pjesë në garën e përvitshme ndërkombëtare “Santa Claus- Talent Cup 2024”, e cila zhvillohet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Në këto gara, notari Arbër Hysaj garoi në 4 gara dhe mori: 1 medalje ari në disiplinën stil i lirë 50 metra, 1 medalje ari në disiplinën not delfin 50 metra, 1 medalje ari në disiplinën not shpinë 50 metra dhe 1 medalje argjendi në disiplinën stil i lirë 100 metra.

Për të dytin vit rradhazi, Arber Hysaj u shpall sportisti më i mirë i grupmoshës së 14 – vjeçarëve duke marrë dhe kupën “Talenti i Vitit 2024”. Nje arritje kjo për këtë sportist, por edhe për notin shkodran dhe atë shqiptar.