Janë zbardhur detaje të reja nga plagosja me armë zjarri e regjistruar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës.

Mësohet se i plagosur ka mbetur 24-vjeçari Arens Beqiri, i cili ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burimet bëjnë me dije se ai është qëlluar me armë zjarri pistoletë nga 22-vjeçari me inicialet E. Sh, pas një konflikti për motive banale mes të rinjve.

Mësohet se, pasi janë përplasur me njëri-tjetrin, autori ka nxjerrë armën duke e qëlluar në këmbë Arens Beqirin.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Skënderbeg”, përballë spitalit. Pasi ka mbetur i plagosur, 24-vjeçari është paraqitur në spital, ndërsa autori është arratisur në drejtim të paditur dhe është shpallur në kërkim nga policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.