Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxa është thirrur në Prokurorinë e Posaçme. Mësohet se Xoxa është thirrur në SPAK për tu marrë në pyetje nga prokurorët e SPAK-ut në lidhje me hetimet për pasurinë e Veliajt.

GJKKO më herët ka rrëzuar ankimimin e Xoxoës për kontrollin e ushtruar nga agjentët e BKH-së pak ditë më parë në banesën, telefonin e saj dhe qendrën ‘Harabel’. Të njëjtën kërkesë ka bërë dhe vëllai i kryebashkiakut Arbër Veliaj dhe është rrëzuar nga GJKKO.

Mëngjesin e 6 dhjetorit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.

Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”. Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë “5D”, që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë. Veliaj reagoi në mbrëmje të premten duke deklaruar se mbështet në çdo hap veprimet e Prokurorisë.