Një bankë e nivelit të dytë ka qenë objektivi i një tentative grabitjeje mbrëmjen e djeshme në Korçë. Ndërkohë është publikuar edhe fotoja e autorit të dyshuar të grabitjes. Sipas raportimeve, autori ka arritur të hyjë në ambientin ku ndodhet bankomati, pasi ka goditur me këmbë derën e jashtme të bankës.

Aktivizimi i sistemit të alarmit të bankës ka alarmuar policinë e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, ndërsa autori ka arritur të largohet. Policia po vijon punën për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit.

“Korçë/Informacion paraprak. Rreth orës 22:04, një shtetas ende i paidentifikuar ka hyrë me forcë brenda një banke të nivelit të dytë në lagjen nr.3 në qytetin e Korçës, i cili ka shtyrë me forcë derën e jashtme. Në momentin që ka hyrë brenda ka rënë sinjali dhe menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë. Shtetasi që kishte hyrë në ambientet e bankës porsa ka konstatuar Policinë është larguar me shpejtësi pa marrë asnjë gjë nga brenda bankës. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë rrethuar zonën ku dyshohet se është fshehur autori. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën, për të bërë të mundur identifikimin e autorit.”, thuhej në njoftimin e policisë.