Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sa i takon vendimit për mbylljen e TikTok në Shqipëri, për një periudhë 1-vjeçare. Përmes një postimi në “X”, Rama thekson se kjo vendimmarrje nuk vjen në formë të nxituar, por pas një këshillimi të gjerë me prindër në të gjitha shkollat e vendit. Më tej, ai ka një përgjigje për kompaninë e TikTok, duke thënë se “në Shqipëri vendosin shqiptarët, jo pronarët e algoritmit të këtij rrjeti”.
“Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë”, shkruan kreu i qeverisë.
Sipas kryeministrit, kjo platformë përbën një kërcënim për fëmijët dhe rininë e ditëve të sotme.
Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi. Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë”, shton Rama.
“Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku”, shkruan në mbyllje.