Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka bërë thirrje për masa parandaluese pas raportimeve nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO) për reshje të pritshme.

Sipas IGJEO dhe SHMU gjatë pjesës së dytë të ditës së sotme priten reshje të dobëta në të gjitha qarqet e vendit. Ndërsa, më 23 dhjetor, parashikohen reshje intensive deri shumë intensive në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës. Në zonat e tjera, reshjet do të jenë mesatare deri intensive, të shoqëruara me shtrëngata.

Në lartësitë mbi 400 metra në Veri, Lindje dhe Juglindje, reshjet do të shndërrohen në dëborë, duke shkaktuar ngrica dhe vështirësi në transport.

Ministria e Mbrojtjes thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe veprimit të shpejtë për të minimizuar pasojat e këtyre kushteve atmosferike dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Të gjitha strukturat vendore dhe qendrore janë të ftuara të jenë në gatishmëri për të reaguar në kohë ndaj çdo situate emergjente.