Nga : Nersada Mandija

Diskutojmë shpesh me miqtë lidhur me shpenzimet për festa dhe kryesisht lidhur me shpenzimet për fëmijët. Janë të shumtë ato prind të cilët fillojnë të mendojnë për dhuratat e festave edhe dy muaj para festave (qofshin ato ditëlindje apo festat e fundvitit). Jo pak prej tyre shqetësohen rreth faktit se mos po i llastojnë fëmijët e tyre apo se mos po tregohen pak dorështrënguar me ta. Është vërtetë një balancë e brishtë. T’i plotësosh fëmijës çdo kërkesë që ka për festa, madje t’i dhurosh dyfishin e dhuratave që ka kërkuar është një ndër tiparet tipike të prindërve “modern” të cilët herë për komoditetin për të mos u përballur me fëmijët e më shpesh për t’i plotësuar ato kërkesa që nuk u janë plotësuar atyre në fëmijërinë e tyre, po karakrerizon prindërimin sot.
Por si ndikon në aspektin psikologjik dhe social ky fenomen?

Një fëmijë që merr përherë atë që do, me raste edhe më shumë nga sa ka kërkuar, rritet në një rreth vicioz pritshmërish përherë e në rritje duke u privuar nga aftësia për t’u përballur me refuzimin apo humbjen. Qasja llastuese e prindërve për t’i plotësuar fëmijëve çdo kërkesë me qëllimin e moskrijimit të traumave në fëmijëri po “mpin” fëmijët e të rinjtë sot. Këta fëmijë, rezultojnë se në të ardhmen e afërt kthehen në të rritur me vlera emotive të kufizuara dhe të pakta. Në fjalë të thjeshta, pak ose aspak mund t’i lumturojë ata në të ardhmen ose çdo sfidë (sado e vogël të jetë) mund ti përkul ata.
Dihet tashmë që fëmijët modelohen nga sjellja e prindërve të tyre (dhe jo vetëm). Nëse një prind vazhdimisht (edhe pse pa dashje!) u kushton një vlerë të lartë sendeve materiale (rroba, lodra, etj) duke mbishpenzuar, duke e tepruar ose duke e tejllastuar një fëmijë, mund të presim që këta fëmijë të fillojnë të vendosin një theks më të madh te sendet materiale ndërsa rriten. Mesazhi i paqëllimshëm që marrin këta fëmijë është se “sendet = lumturi”. Prandaj, sa më shumë sende/dhurata të marr, aq më i lumtur duhet të jem!
Ka shumë studime sot, që tregojnë një lidhje shqetësuese midis materializmit dhe shëndetit mendor. Në mënyrë tipike, fëmijët/adoleshentët që vënë një theks më të madh në sendet materiale tregojnë gjithashtu nivele më të ulëta të vetëvlerësimit dhe lumturisë së përgjithshme, ndërsa njëkohësisht përjetojnë nivele më të larta ankthi.
Por si mund të kultivojmë ndjesinë e masës dhe objektivitetit në momete të tilla emotive siç janë festat, dhuratat dhe të vegjëlit tanë. Disa këshilla praktike, mund të jenë:
1. Vendosja e masës (në këtë rast e një buxheti limit për dhuratat)
Vendosja, njohja dhe respektimi i masës është një ushtrim shumë i mirë për prindërit dhe fëmijët dhe këtë marrëdhënie në përgjithësi. Gjatë ditëve të pazarit për dhurata duhet t’i kujtojmë vetes dhe fëmijëve vlerën limit që kemi vendosur për këta dhurata në mënyrë që të kënaqim veten dhe të respektojmë rregullat që vetë kemi vendosur. Në këta raste blerjet online, ku kërkohet në mënyrë të targetuar sipas vlerës në dispozicion mund të jenë një zgjedhje shumë efiçente.
2. T’i kujtojmë njëri-tjetrit se pushimet dhe festat nuk janë vetëm për dhurata
Është shumë e nevojshme që gjatë pushimeve dhe festave ta heqim vëmendjen nga dhuratat dhe ta risjellim atë tek traditat dhe zakonet që lidhen me festën në fjalë. Zhvilloni tradita argëtuese, “jo të lidhura me dhurata”, që fëmijët tuaj të emocionohen në këtë kohë të vitit. Për shembull – të bësh punime dore për pushime, të lexosh tregime dhe të bësh lojra me brumë e t’i pjekësh janë mënyra të shkëlqyera për t’i emocionuar fëmijët e vegjël për pushimet. Për fëmijët më të rritur, provoni të dilni për një “qerasje festash” ose ecje/ngjitje në natyrë, ndonjë koncert në shesh apo të dilni vullnetarë së bashku për ndonjë organizatë. Pyesni fëmijët tuaj se çfarë do të donin të bënin këtë vit, në vend të asaj se çfarë do të donin të merrnin. Është një ndryshim i vogël, por mund të ketë një ndikim të madh në mënyrën se si ju dhe familja juaj i shikoni pushimet.
3. Konsideroni që ndonjërën festë t’ia kushtoni bamirësisë
Ka jo pak njerëz që preferojnë të japin vullnetarisht kohën e tyre familjare, apo të tjerë që zgjedhin të sponsorizojnë një familje ose të blejnë dhurata për të to – ju e njihni më mirë familjen tuaj, kështu që zgjidhni diçka që do të funksionojë për të gjithë. Vetëm sigurohuni që të shpjegoni për fëmijët tuaj PSE po përfshiheni në një bamirësi. Është një mënyrë e shkëlqyeshme për të prezantuar idenë se jo të gjithë kemi mjaftueshëm, dhe i ndihmon gjithashtu fëmijët të kuptojnë vlerën e dhënies dhe të ndarjes së gjërave me të tjerët.
Detyra jonë si prindër, është t’i ndihmojmë fëmijët tanë në rrugëtimin e ritjes duke iu stimuluar krijimtarinë, kuriozitetin dhe aftësinë për të luftuar për objektivat dhe lumturinë e tyre. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të kontribojmë në krijimin e një brezi që lumturohet spontanisht dhe përballon sfidat e jetës me kurajë dhe rezilencë.