Nga janari 2025, qeveria do të nisë punën për mbylljen e TikTok për një periudhë 1-vjeçare. Pra, platforma TikTok nuk do jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë. Kjo lëvizje e qeverisë erdhi pas tragjedisë së vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, për të cilën Rama nuk nguroi një përgjigje duke thënë se opozita e përdori për përfitime absurde.
Kreu i qeverisë shpjegoi se do duhet një fazë kohore 6-8 javë për mbylljen totale të TikTok, vit që përkon edhe me zgjedhjet parlamentare. Më pas, ky vendim do të rishikohet në bazë të politikave që do ndjekin vendet e tjera, reagimin e vetë kompanisë kineze TikTok, por edhe se çfarë filtrash mund të aplikohen për kufizime.
“Është rrugaçi i lagjes që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. TikTok do ta mbyllim për një vit. Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit plotësisht për të gjithë. TikTok në republikën e Shqipërisë nuk do ketë. Gjatë atij viti do shohim si do veprojnë vendet, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra, si do reagojë vetë TikTok”, tha Rama në takimin e fundit përmbyllës të konsultimit publik.
‘Rugaç i lagjes që po merr peng fëmijët e quajti Rama’, platformën e TikTok. Kryeministri tha se promovon vetëm dhunë, krime e llum, në ndryshim të përmbajtjeve që shfaqen në Kinë, vendi mëmë i kompanisë.
“TikTok është kompani që i ka rrënjët në Kinë, por po të shikosh Tik-Tok në Kinë dhe jashtë Kinës janë dy gjëra të ndryshme. Në Kinë promovon se si ruhet natyra. Rrugaçëri, perversiteti, dhunë, bullizëm, krim, thika, nuk sheh në TikTok e kinës, në TikTok jashtë kinës vetëm llum dhe qenëri, çfarë na duhet në kjo”, tha Rama.
Kryeministri tha se parashikohet edhe ngritja e një Instituti për fëmijët në konflikt me ligjin. Burime për Report Tv bëjnë me dije se insistoi do të ndërtohet në Mëzez-Fushë dhe synon rehabilitimin e të miturve që kanë konflikt me ligjin.
Po ashtu, Rama paralajmëroi se nuk do të jepen më leje ndërtimi për pallate e resorte nëse nuk parashikojnë hapësira për fëmijët. Po ashtu, taksa e strehës sociale do të rishikohet me qëllim që një pjesë të shkojë për ndërtimin e shkollave, kopshteve apo çerdhet.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ndërsa prezantoi planin e ri të veprimit për sigurinë në shkolla dha shifrat duke thënë se në total janë realizuar 1300 konsultime me pjesëmarrjen e 65 mijë prindërve në të gjithë shkollat e vendit. 90% e prindërve janë pro kufizimit ose mbylljes së TikTok, 80% e prindërve kërkojnë fuqizimin e masave, mbi 57% pranojnë se ekspozimi ndaj rrjeteve u sjell fëmijëve edhe sjellje të papërshtatshme dhe ndikon në shëndetin mendor.