Qyteti i Magdeburgt në Gjermani u trondit mbrëmjen e djeshme nga një sulm. Bilanci është rritur në 5 viktima dhe 205 të plagosur. Sulmuesi që është vënë në pranga, një mjek me origjinë nga Arabia Saudite u fut me makinë në tregun e Krishtlindjeve duke përplasur turmën e njerëzve.

Sipas policisë, 50-vjeçari i cili e kishte marrë mjetin me qira hyri në turmë duke lëvizur me shpejtësi për rreth 400 metra. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg filloi në orën 19:04 të kur një BMW e errët hyri në turmë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz mbërriti në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg. I veshur me të zeza, Scholz shoqërohet nga ministra kombëtarë dhe rajonalë që mbajnë lule.