41-vjeçarja, Arlinda Marku dhe 34-vjeçari Darin Gezdari janë vënë në pranga në Tiranë pas një operacioni të koduar “Coast to coast”.
Ata u arrestuan pasi gjatë dy viteve bashkëpunuan për të krijuar kompani fiktive. Nëpërmjet kompanive fiktive Marku dhe Gezdari kryen transferta bankare me vlerë 11 milionë euro nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta në Shqipëri.
Më pas paratë transferoheshin në Kanada. Policia bën me dije se aktiviteti kriminal është zhvilluar gjatë periudhës 2021-2022.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Gjiblartar dhe Maltë. Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara dyshohet se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj.