Nga Jona Leqejza

Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak Shkodër ishte një episod që nuk i shërben qytetarisë shkodrane. Ngjashmëria me skenat e tensionuara që shohim në parlament ishte e dukshme dhe për fat të keq, konfirmon degradimin e debatit publik edhe në nivel lokal. Edhe pse ndaj të njëjtin shqetësim me Z. Fatlum Nurja në vlerësimin e atmosferës së mbledhjes, duhet të theksoj se disa qëndrime të shprehura ndaj prezantimit të bërë një ditë më parë ishin të pavenda dhe të pabazuara. Në fakt ajo çfarë mund të them është një ndjesë apo “mea culpa” ndaj shkodranëve pasi si mazhorancë nuk arritëm të shmangim atë që opozita zgjodhi, lojën politike në vend të projekteve konkrete që i shërbejnë qytetarëve.

Ishte çuditëse të dëgjoje që prezantimi i projekteve dhe vizionit për zhvillimin e territorit të bashkisë Shkodër konsiderohej si diçka jashtë kompetencave të bashkisë apo qeverisjes vendore. Në fakt, në mbledhje u fol për një gamë të gjerë çështjesh, që nga infrastrukturat rrugore, trotuaret, ndriçimi publik, kanalizimet dhe ujësjellësit, deri te hapësirat publike, tregjet dhe projektet kulturore. Të gjitha këto janë funksione të përcaktuara qartë nga ligji për vetëqeverisjen vendore. Për më tepër, u prezantuan projekte strategjike të financuara nga qeveria, donatorët apo buxheti i bashkisë, të cilat janë jetike për zhvillimin ekonomik lokal.

Të mohosh që këto janë përgjegjësi të bashkisë ose të kundërshtosh të drejtën e titullarit të institucionit për të paraqitur vizionin e tij në një mbledhje mbi buxhetin afatmesëm dhe vjetor është ose keqkuptim i thellë ose keqdashje.

Mbrëmë u fol për rrugë rurale dhe urbane, trotuare e rrugë biçikletash (funksion i parashikuar në nenin 23, pika 4 të ligjit 139/2015); ndriçim publik (23/ 5); parqe e hapësirë publike (23/ 11), kanale kulluese e vaditëse (27/1), projekte të transformimit të hapësirave të madha publike urbane (23/14), impiant trajtimi e ujësjellësi (23/1 dhe 23/2), godina të reja dhe rikonstruksion të godinave kulturore dhe aktivitietet kulturore e sportive (25); sistemi tregjesh (28/2); plan mobiliteti, parkingje e transport publike (23/6) e kështu me radhë. Por edhe për një grup projektesh madhore strategjike që po financohen nga qeveria që e vënë Shkodrën në një pozitë shumë me pozitive për të programuar zhvillimin ekonomik vendor (28/1). Asgjë e tepërt; asgjë e sforcuar, të gjitha projekte të rëndësishme për Shkodrën, të financuara nga qeveria, bashkia apo donatorë të huaj.

Ajo që ndodhi mbrëmë, me bllokimin e foltores dhe kërcënimin për bllokim votimesh nga opozita, ishte një shfaqje e keqe e një frustrimi që nuk u kanalizua drejt diskutimit konstruktiv apo prezantimit të alternativave. Një qasje e tillë nuk i shërben askujt, dhe mbi të gjitha dëmton qytetarët që presin llogaridhënie dhe politikë të përgjegjshme. Në vend që të bëhej politikë siç duhet, opozita humbi një shans të rëndësishëm, veçanërisht në këtë vit zgjedhor.

Buxheti është dokumenti më politik në çdo bashki, pasi ai reflekton prioritetet dhe orientimet strategjike të saj. Përpjekjet për ta kufizuar debatin vetëm në analiza teknike dhe përqindje, duke lënë mënjanë vizionin dhe transparencën, e zhveshin nga kuptimi publik që duhet të ketë. Ajo që mund të bie dakord me Z.Nurja po është e vërtetë, sepse Këshilli Bashkiak është instrument që duhet të garantojë llogari dhënien e ekzekutivit, dhe mbrëmë ka dështuar në vendosjen e përparësive. Ama, reagimi i BF që çoi në votim pa diskutim nga ana e këshillit ishte jo proporcional me problemin e përmbajtjes së prezantimit dhe tërësisht i pa moralshëm karshi banorëve që kanë votëbesuar.

Fatkeqësisht, fakti që disa këshilltarë nuk arrijnë të përballen me substancën dhe kontekstin, duke u fokusuar vetëm te kritika për hir të kritikës, është një tregues i dështimit të një pjese të Këshillit për të përmbushur misionin e tij. Votimi pa diskutim nga ana e këshillit ishte një reagim i tepruar dhe i padenjë ndaj banorëve që kanë votuar për përfaqësim të përgjegjshëm.
Demokracia lokale kërkon hapa cilësorë, dhe një hap i tillë mund të bëhet duke thënë të vërtetën dhe duke diskutuar faktet në mënyrë korrekte. Aversioni ndaj prezantimeve teknologjike apo ndaj përpjekjeve për të sjellë transparencë, siç është rasti i sterilizimeve që mbetën pa rezultat, është një qasje tashmë e skaduar. Shkodra ka nevojë për një qasje të re, ku puna, projektet dhe vizioni të jenë “fusha e lojës” dhe debatet të zhvillohen me profesionalizëm e përgjegjësi.