Sali Berisha, është shprehur se te administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, do të lobojë për të hequr ‘non gratën’ e vendosur nga DASH.

Komentet Berisha i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani, ku tha se te administrata e presidentit Joe Biden nuk ka lobuar, për arsye se kishte zgjedhur rrugën gjyqësore me sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken.

Ai shtoi se është i bindur se në DASH ka zero fakte kundër tij, në procesin e shpalljes ‘non grata’.

“Me këtë administratë vendimi im ka qenë të mos loboj. E kam hedhur në gjyq sekretarin e Shtetit për shpifje dhe e kam ftuar të vijë në sallën e gjyqit dhe të faktojë ato që ka thënë. Me administratën e re do të loboj.

Do të loboja edhe sikur të mos ishte Trump President, mjaftonte të mos ishte ky ministër. Edhe në administratën e shkuar unë i njihja shumicën e tyre, kisha drekuar me ta. Unë jam i bindur 100 % se ka zero fakte ndaj meje.

E them këtë, e them nga ata që kanë administruar dosjet e non gratave në DASH. Tani do loboj, ose do ndjek procedurat, sepse i kam rrugët e hapura. Ndaj Blinken zgjodha gjykatën. Nuk shkonte që edhe të shkoja në gjykatë edhe të loboja”, tha ai.