Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski pati bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe udhëheqës të tjerë evropianë të mërkurën, me synimin për të marrë ndihmë të menjëhershme për të forcuar përpjekjet e Kievit në luftë dhe për të diskutuar garancitë afatgjata të sigurisë.

Presidenti Zelenskiy u tha gazetarëve se bisedimet e së mërkurës në Bruksel dhe një diskutim me 27 udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të nesërmen, ishin “një mundësi shumë e mirë për të folur për garancitë e sigurisë për Ukrainën për sot dhe për nesër”.

Ndërsa udhëheqësit evropianë këmbëngulin se po fokusohen në nevojat urgjente të Ukrainës, disa zyrtarë kanë filluar të diskutojnë se si të garantojnë sigurinë e vendit pasi lufta të ndalet, përfshirë me mundësinë e vendosjes së forcave evropiane.

Duke postuar më vonë në rrjetin X, Presidenti Zelenskiy tha se ai dhe zoti Rutte patën një “takim të rëndësishëm dhe shumë thelbësor” duke u fokusuar tek “forcimi i mbrojtjes ajrore për Ukrainën dhe sigurimin e besueshmërisë së paqes për të cilën po punojmë kolektivisht”.

NATO “do të bëjë gjithçka për t’u siguruar që Ukraina të jetë sa më e fortë që të jetë e mundur, kur të kthehemi drejt diplomacisë më aktive”, tha ai.