Sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak bëra një prezantim shumë konkret të investimeve të përfunduara me sukses, atyre në proces dhe të planifikuara për të filluar në vitin 2025.

Janë projekte që përmirësojnë shërbimet publike dhe cilësinë e jetës së çdo banori, si në lagjet qendrore dhe periferike të qytetit, ashtu edhe në fshatrat e bashkisë Shkodër, nga Velipoja deri në Dukagjin.

Aktualisht, me një mbështetje të fortë nga Qeveria Shqiptare dhe donatorët ndërkombëtarë, janë në proces rreth 45 milionë euro investime në territorin e bashkisë sonë. Këto përfshijnë:

• Rrugë, shërbime publike, parqe;
• Kanalizime, kanale kulluese dhe vaditëse;
• Trotuare dhe rrugë biçikletash;
• Shkolla, terrene sportive, muze dhe godina kulturore;
• Rikualifikim të lagjeve dhe termoizolim të pallateve;
• Tregje, parkime dhe ndriçim publik.
Mirënjohës çdo këshilltari që ka zgjedhur t’i shërbejë Shkodrës duke votuar pro buxhetit të vitit 2025. Ky buxhet do të na mundësojë të shumëfishojmë kantieret e punës gjatë vitit të ardhshëm.
Ndiej keqardhje për skenat e pazakonta të disa prej këshilltarëve të opozitës, të cilët pamundësuan mbajtjen e një debati normal dhe demokratik rreth dokumentit më të rëndësishëm të bashkisë, buxhetit. Jam besimplotë se, për të mirën e Shkodrës, do të mundemi ta rigjejmë forcën për bashkëpunim përtej retorikave dhe ndasive politike.

Për ne i rëndësishëm është forcimi i besimit të qytetarëve te Bashkia Shkodër, si dhe mbështetja ndaj vizionit tonë për rikthimin e Shkodrës si qendër rajonale. Do të vijojmë çdo ditë, hap pas hapi, me vullnet, këmbëngulje dhe dëshirë për realizimin e çdo projekti që na çon drejt një Shkodre më të mirë dhe të begatë për çdo qytetar, kudo që ai jeton në territorin tonë.
Na u priftë e mbara!