Vazhdon hetimi për shantazhin ndaj familjes së Michael Schumacher. Që kur shtatë herë kampioni i botës pësoi atë aksident në vitin 2013, të afërmit e tij kanë dashur ta mbajnë private gjendjen e tij shëndetësore.

Është një mister se si është legjenda e Formula 1 për momentin, pasi asgjë nuk është zbuluar, por familjes i është dashur të përballet me disa shantazhe që tani janë duke u hetuar.

Prokuroria e Wuppertalit është duke hetuar këtë rast shantazhi ndaj familjes së legjendës gjermane dhe në listën e të dyshuarve ka përfshirë edhe një infermiere që merrej me kujdesin e shtatë herë kampionit.

Pas deklaratës së njërit prej burrave që kërkonte shpërblim nga familja për të mos shpërndarë video dhe pamje të papublikuara të gjendjes aktuale të ish-pilotit të F1, ka dalë emri i një të dyshuare që do të hetohet për këtë rast.
Kjo punonjëse që ishte në shërbim të familjes së Schumacher duket se ka dështuar në besimin që i është dhënë dhe tani është në kërkim. Ajo duhet të kishte shkuar për të dëshmuar në seancën e parë të këtij procesi, por nuk u paraqit dhe tani i është shfaqur sërish emri, por këtë herë si e dyshuar për krimin. Kjo pasi, gjatë ndërhyrjes së njërit prej tre të akuzuarve, ai ka theksuar se infermierja i ka ndihmuar në marrjen e informacioneve, pamjeve dhe videove me të cilat shantazhonin familjen e gjermanit.

Kjo ka bërë që më shumë gishta të drejtohen drejt saj si bashkëpunëtore, pasi një nga punonjëset që punon me familjen ka theksuar se dyshuan për infermieren që në momentin e parë të shfaqjes së shantazhit.