Zona e Zdrales prej javësh është përfshirë në një proces transformimi me një fond prej 275 milionë lekësh, për fazën e parë të projektit të Bashkisë Shkodër për rijetëzimin e kësaj zone. Firma kontraktuese ka kryer një pjesë të punimeve në rrugën “Hamz Kazazi”, ndërkohë që ka nisur edhe restaurimi i fasadave të banesave në këtë zonë njëkohësisht edhe me rikonstruksionin e plotë të rrugës. Për shkodranët një ndërhyrje e tillë ka qenë e domosdoshme për zonën dhe i jep një transformim kësaj zonë për banorët por edhe biznesin në zone.

Faza e parë e cila është në proces pune përfshin rrugën “Hamz Kazazi” nga Xhamia e Parrucës dhe vazhdon deri te Markata e Peshkut.

Në zonë përfshihen 95 njësi shërbimi me funksione të ndryshme si butikë veshjesh dhe aksesorësh, ushqimore, dyqane peshku dhe mishi, bar-kafe, artikuj shtëpiakë, mjedise për profesione të lira, fruta-perime etj. Investimi në këtë zonë fokusohet në pjesën e rrugës, shesheve dhe fasadave.

Rrugët dhe sheshet po trajtohen në mënyrë që t’u japin përparësi këmbësorëve dhe biçikletave, ndërsa makinat do të lejohen me orare të caktuara.

Sa i takon fazës së dytë që përfshin edhe zonën pranë stadiumit “Loro Boriçi”, projekti është në fazën përfundimtare dhe pritet që prezantohet në vitin 2025.