Prindërit e Martin Canit, i cili humbi jetën pak kohë më parë në ngjarjen e rëndë pranë shkollës “Fan Noli”, i janë drejtuar me një letër ambasadës së SHBA në Tiranë. Letra e familjes Cani i është drejtuar edhe institucioneve shqiptare, presidentit, kryeministrit dhe kreut të opozitës Sali Berisha.

“U vra në institucionin e shkollës që konsiderohej institucion i sigurt i shtetit shqiptar. Ka tentativa për të manipuluar ngjarjen, për të shpëtuar fajtorët. Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që më shkaktuar humbjen e djalit.”, thuhet mes të tjerash në letër.

Martin Cani, 14 vjeç, humbi jetën më datë 18 nëntor pak metra larg shkollës “Fan Noli”, ku studionte gjatë sherrit me të dyshuarin Mario Perllëshaj. Gjatë sherrit mbeti i plagosur edhe 14-vjeçari, Luis Meçja, i cili është larguar nga vendi për tu trajtuar. Ndërkohë ka nisur seanca në Gjykatën e Apelit në Tiranë për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit Mario Perllëshaj.