10 muaj më parë, kryetari Bashkisë Shkodër, Benet Beci, do të priste në zyrën e tij një përfaqësi të banorëve të Postribës, të cilët me të drejtë ngritën shqetësimin e ndotjes së ujit të pishëm.
Sot , pas thuajse 10 muajsh, situata është krejtësisht tjetër, falë një investimi prej 14 milion lekësh të reja në rikonstruksionin e veprës së marrjes dhe linjës së dërgimit të ujit në fshatin Postribë.
Për drejtorin e Ujësjellës Kanalizime në Qarkun Shkodër, Besmir Lesha, ky investim u bë i mundur në një kohë të shpejtë dhe zgjidh problematikën e ndotjes së ujit për banorët e Postribës.
Përfitues të këtij investimi janë rreth 7000 banorë të Postribës, ndërkohë që përmirësimin e cilësisë së ujit në këtë zonë e pohojnë vetë banorët.
Burimi i Rresekut në Postribë është bërë shpesh herë problem në vite për shkak të ndotjes së ujit që krijohej nga prurjet e shumta, ndërkohë që për të parandaluar këtë ndotje, Ujësjellës Kanalizime bëri të mundur ndërtimin edhe të linjës së re që shmang përzierjen e ujërave të shiut me ujin e burimit duke sjellë që uji të shkojë i pastër në banesat e Postribës.
Ky burim ka një linjë shpërndarjeje rreth 4 km.
Ujësjellësi është ndërtuar në vitet 2013 – 2015 me fondet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ndërkohë që linja dhe vepra e marrjes tashmë është bërë e mundur falë buxhetit prej 14 milion lekësh të akorduar nga Ujesjellës Kanalizime Qarku Shkodër.