Nata e pestë ishte njëkohësisht e fundit për Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit në Shkodër.
Në teatrin “Migjeni” ra në sy prania e madhe e spektatorit shkodran që kishte mbushur sallën plot.
Në këtë mbrëmje, interpretimit të mjeshtrave shkodranë të humorit iu bashkangjit një tjetër emër i madh i këtij zhanri si ai i Muharrem Hoxhës.
Ndonëse humori ishte “kryefjalë” e këtyre netëve në Shkodër, muzika ishte pjesë e pandarë e këtij organizimi.
Në përfundim të kësaj mbrëmje kryebashkiaku Beci u ngjit në skenë për të përshëndetur çdonjërin nga aktorët pjesëmarrës.
Për pesë netë me radhë në skenën e teatrit “Migjeni” u ngjitën disa nga aktorët më të shquar të humorit në vend duke i dhënë të tjera ngjyra këtij fundviti në Shkodër.
Festivali Mbarëkombëtar i Humorit i organizuar nga Teatri “Migjeni” me mbështetjen e Bashkisë Shkodër synon që në të ardhmen të shndërrohet në traditë.