Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Qarkun Shkodër ka rritur ndjeshëm inspektimet në terren, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore që vihen në treg. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti janë realizuar 2,102 inspektime, duke përfshirë të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor.

Drejtori i AKU-së Shkodër, Ramir Haderi, tha se ekipet janë çdo ditë në terren për të monitoruar dhe parandaluar çdo problematikë që mund të shfaqet në këtë periudhë kur konsumi i produkteve ushqimore është në rritje.

Gjatë inspektimeve janë vendosur 168 masa paralajmëruese dhe për shkeljet më të rënda janë vendosur 22 gjoba administrative me një vlerë totale prej 1,830,000 lekësh.

Në këtë periudhë janë shqyrtuar gjithashtu 428 etiketa të produkteve ushqimore, nga të cilat 173 janë certifikuar si në përputhje me kërkesat ligjore. Po ashtu, janë kryer 605 analiza laboratorike në DRAKU Shkodër për të garantuar cilësinë e produkteve.

Kjo periudhë kërkon një vëmendje të shtuar për shkak të konsumit të shtuar.