Ish-kryeministri Sali Berisha ka premtuar sot se me ardhjen e PD-së në pushtet, rrogat mininale do të jenë 500 euro, ndërsa ato mesatare 1200 euro.

Berisha deklaroi se qytetarët do të kenë pagat dhe pensionet më të larta në rajon, teksa premtoi gjithashtu se do bëjë propocionim të çmimit të energjisë, ujit dhe shërbimeve.

“Ne do vendosim rrogën minimale 500 euro si fillim, rrogën mesatare 1200 euro. Nuk mundet kurrë që pensionisti të paguajë energjinë elektrike me të njëjtin çmim që paguan rrogëmesmi dhe rrogëlarti. Sot çdo pensionist paguan energjinë njësoj si ata që marrin 7 mijë euro në shtet. Nuk ka mundësi kurrë.

Ne do bëjmë përshkallëzim, proporcionim të plotë të energjisë, të ujit dhe shërbimeve. Në këtë mënyrë me një ndërhyrje emergjente ne besojmë se do lehtësojmë dhimbjet e kësaj skamje që ka krijuar qëndrimi i qeverisë me rrogat dhe pensionet.

Natyrisht ne e kemi pasur dhe e mbajtëm, do e kemi dhe do e mbajmë, si qëllim që shqiptarët të jenë më të paguarit në rajon. Ju garantoj se në qeverisjen e ardhshme, qytetarët shqiptarë do kenë rrogat më të larta dhe pensionet më të larta në rajon. Por kjo kërkon të bëjmë shumë punë, kërkon që të diskutojmë me njëri-tjetrin, kërkon që të krijojmë një front.

Më thoni mua çfarë e lidh pensionistin socialist me Edi Ramën sot? Unë ua thashë me sinqeritet, po u vij në mbledhjen e grupit parlamentar, po si mund të diskutoni ju 16 milionë euro në një buxhet 8.2 miliardë, t’u lini 800 mijë qytetarëve vetëm 16 milionë euro. Ka gjë më të turpshme se kjo, a keni prindër ju, a keni zgjedhës ju, këtë do u thoja. Si mund të votoni një gjë të tillë? Po këta shohin vetëm pasurimin e tyre.

Ky qëndrim gjakftohtë ndaj 800 mijë qytetarëve nuk mund të mbahet vetëm kur vjedhja të ka verbuar. Po kështu fermerët janë 35-40 përqind e shoqërisë sonë. Asnjë ndihmë. 44 milionë. Japin 20 përqind të prodhimit bruto. Në buxhet u janë lënë 44 milionë. Ato 44 milionë, dy të tretat ua vjedh administrata, ju garantoj, është e studiuar. Edhe ato 140 milionë që i merrnin nga BE, i vodhën dhe BE i ndaloi.”– tha Berisha.