Nga Edmond Arizaj

Nuk ka gjë më mizore, besoj, se të bësh njësh me turmën, apo më keq, të hedhësh në këmbët e turmës një idhull, a ish-idhull të tyre. Sidomos në vende, ku idhujt janë me pakicë e ku prej vitesh pothuaj nuk mbijnë më, si vendi ynë.

Gjendja e Parashqevi Simakut, sido të jetë, do të sjellë vetëm keqardhje, gëzim të brendshëm tek zemërliqtë e zakonshëm, kënaqësi tek smirëxhinjtë e dikurshëm, prehje tek ata që nuk kanë lënë gjë pa thënë prej mëse 30 vitesh…

Asnjë ndjenjë, nga ato që përçonte dhe merrte dikur bukuroshja dhe zëëmbla Parashqevi nuk egziston më.

Pse e kërkoni me ngulm Parashqevinë? Ç’do të tregoni me jetën e saj? Ajo vetë nëse do të donte, vallë nuk dinte të shfaqej?! Vallë nuk dinte të fliste? Por ajo me sa duket ka dashur të jetë e zhdukur. Pse nuk e respektoni vendimin e saj?!

Nëse do të kërkonte ndihmë, mendoni se në New York do t’ia kursente njeri nga mijëra shqiptarë që ka atje?! Nëse Parashqevia ka zgjedhur të jetojë fatin e saj, apo nëse thjesht fare nuk ia ndjen për askënd në botë dhe nuk do ta besdizë njeri, a nuk është mjaftueshëm për ta lënë të qetë?

Dhe për mijërat e fansave të dikurshëm të saj, të këngëve a paraqitjes (por edhe ata që e kanë njohur nëpërmjet youtube), a nuk është më mirë t’i lëmë në kujtim Parashqevinë e dikurshme?

E di, nga ana gazetareske, është një debat i madh që mund të bëhet, por nëse gazetari është në shërbim të publikut, pyetja ime do të ishte: Ç’farë e mire i vjen publikut në këtë rast? Përveç sigurisht kuriozitetit pervers, dhe asaj kënaqësisë së fshehtë dhe të ndyrë që jemi të gjithë të barabartë.