Policia e Shtetit ka bërë apel për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, pas përkeqësimit të kushteve atmosferike që po shkaktojnë reshje shiu dhe dëbore në zonat malore. Autoritetet theksojnë se nuk ka akse rrugore të bllokuara për momentin, por kërkojnë që automjetet të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore në zonat ku reshjet janë më të shumta.
Në njoftimin e Policisë theksohet se drejtuesit e mjeteve duhet të ushtrojnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, dhe të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështirës dhe pranisë së ujit në disa segmente rrugore. Policia gjithashtu ka ngritur grupe emergjence në të gjitha drejtoritë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me pushtetin vendor dhe shërbimet civile.
Njoftimi:
Si pasojë e motit të keq me reshje shiu dhe në disa zona malore me reshje dëbore, Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar për drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështirës dhe të prezencës së ujit në disa segmente rrugore.
Për lëvizjen në akset rrugore në zonat malore ku ka reshje dëbore të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.
Të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.
Deri në këto momente nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar.
Ndërkohë, në të gjitha drejtoritë janë ngritur grupet e emergjencës dhe po mbajnë kontakte me përfaqësuesit e pushtetit vendor, me firmat kontraktore dhe emergjencat civile.
Në rast nevoje, telefononi në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë menjëherë në ndihmë.