Lulzim Basha ka dhënë një intervistë për Ylli Rakipin në emisionin Të Paekspozuarit në MCN Tv, ku foli për disa çështje, ndër të cilat edhe shpalljen non-grata të Berishës nga SHBA.

I pyetur në lidhje me një rishikim të mundshëm të non-gratës, pasi Berisha ka deklaruar se do të lobojë te administrata Trump për ta arritur këtë, Basha nuk dha një përgjigje nëse do të kërkojë falje, por deklaroi se nuk është fallxhore që të parashikojë vendimet e Presidentit të SHBA-ve.

Pjesë nga biseda:

Rakipi: U zgjodh Donald Trumpi, sikur ti thotë mendja që t’ja heqë non-gratën doktorit, do thuash pastaj bëra gabim?

Basha: Unë jam me Amerikën sepse Amerika ka qenë me ne, kur jemi bërë shtet i pavarur, ka qenë në vitet 90’, kam qenë me Amerikën dhe jam sepse sulmoi Millosheviçin, kur hoqi gjysmën e shqiptarëve nga Kosova, futjen e Shqipërisë në NATO…

Rakipi: Shumë bukur, rroftë Amerika, por tani erdhi ky…

Basha: Se ka edhe nga ata që bëjnë anti-amerikanin nga mëngjesi deri në darkë. SHBA kanë bërë për shqiptarët atë që nuk e bënim dot kurrë vetëm.

Rakipi: Sikur ti heqë non-gratën doktorit?

Basha: Edhe sot në gjendjen ku është Kosova, me agresivitetin që sillet Vuçiç, roli dhe nevoja për një aleancë të fuqishme me Amerikën, është e një natyre jetike.

Rakipi: E morëm vesh këtë. Se ti po mban fjalim për Amerikën tani.

Basha: Ka tre vjet që anatemohet Amerika, nuk ka dy Amerika, ka vetëm një Amerikë. Ky qëndrim që të them sot nuk është i sotmi dhe as i djeshmi.

Rakipi: Po sikur ti heqë non-gratën Berishës?

Basha: Qëndrimi im për SHBA nuk ndryshon në varësi të vendimeve individuale që SHBA merr.

Rakipi: Mos bëj si Fatmiri tani që shkon dhe përqafon kongresmenët. Tani po të pyes, erdhi Trumpi dhe i hoqi doktorit non-gratën, se ky bën edhe gjëra të çuditshme. Ti ç’do thuash?

Basha: Unë nuk bëj fallxhoren me vendimet e Presidentit të SHBA. Nëse ka vendime që ti do ti komentoj më fto, nuk bëhem fallxhor.

Rakipi: Dakord, ja e gjete një përgjigje. Dole bukur shumë. Tani, ta zëmë se ky e bëri, hipotetike, mund ta bëjë. Apo nuk ndodh?

Basha: Ka njerëz që tregojnë faktin se vendime të kësaj kategorie nuk kanë asnjë rast që janë zhbërë më parë, megjithatë nuk dua të mbetem në këtë hulli. Dua të them, investimi që SHBA kanë bërë për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë përbën shqetsimin më të madh të Edi Ramës dhe qeverisë së tij, që ka gjysmën e ministrave të pandehur dhe gjysmën tjetër me fantazmën…