Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një thirrje të fortë për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke i inkurajuar ata të protestojnë përpara ambasadave të Shqipërisë dhe të godasin ato me vezë dhe domate.

Kjo thirrje erdhi në kuadër të akuzave të tij ndaj qeverisë, të cilën ai e akuzon se është përfshirë në “vjedhjen” e zgjedhjeve të vitit 2025 duke përdorur misionet diplomatike jashtë vendit.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve jashtë vendit të reagojnë dhe të dërgojnë një mesazh të qartë përmes protestave të fuqishme, që do të shprehnin kundërshtimin e tyre ndaj atyre që ai i konsideron abuzues të sistemit zgjedhor.

“Ambasadat janë në një veprimtari elektorale të ethshme.
Ndaj unë u kërkoj degëve të PD kudo që janë të organizojnë manifestime dhe demonstratat më të rrezikshme para narkoambasadave të narkorepublikës së Shqipërisë.
Kudo, në çdo shtet, të mobilizojnë gjithë forcën e tyre, të përdorin vezë dhe domate kundër selive dhe punonjësve të ambasadave të implikuar në veprimtari kriminale elektorale, të ndaluar me ligj.
Po kështu të shënjojnë, të krijojnë librin e zi, në të cilin do regjistrojnë çdo akt që vjen në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit, emrin, funksionin, detyrën dhe aktin që kryen punonjësi i dhënë.
Qeveria, në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, është lëshuar e papërmbajtur, e tmerruar në një seri vendimesh, që të gjitha me qëllime elektorale.
Garantoj përfituesit e tyre se do trajtohen si bashkëautorë në një krim të rëndë elektoral.
Të lexojnë kodin dhe të mos bëhen bashkëautorë të një bande kriminale që nuk njeh ligj, as Kushtetutë”, u shpreh ai.