Rektori i Universitetit Luigj Gurakuqi, Prof .Tonin Gjuraj ka pritur sot Arqipeshkëvin e Shkodrës , imzot Anxhelo Masafra.

Në këtë vizitë të parë zyrtare, që pas marrjes së detyrës nga ana rektorit Gjuraj, arqipeshkëvi Massafra, i dhuroi universitetit të Shkodrës një fond prej 20 kopjesh të librit “Përmbledhje e Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike”, një botim ky që vjen për herë të parë në shqip, i realizuar nga Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe Paqes.

Duke e quajtur këtë një libër që vlen për të gjithë, pasi është i bazuar në vlerat universale, imzot Massafra tha se ky botim përmban parime të rëndësishme në fushën e drejtësisë, që u shërbejnë të gjitha feve, kombësive dhe shteteve.

Duke iu referuar një citimi të Papa Gjon Pali II, Arqipeshkëvi Massafra tha se ky libër duhet të promovohet kryesisht në vendet universitare.

Nga ana e tij, rektori Gjuraj, duke e falenduar Arqipeshkevin Massafra për dhurimin e këtij fondi librash universitetit, u shpreh se kemi shumë nevojë që tek të rinjtë të kultivojmë ato vlera që kanë fetë moniteiste.

Rektori Gjuraj tha gjithashtu se Universiteti i Shkodrës është i hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet sociale dhe fetare.

Në prathënien e botimit në shqip të “Permbledhja e Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike”, thuhet ndërmjet të tjerave se me botimin e këtij dokumenti në shqip dëshirojmë të hyjmë thellësisht në misionin ungjillizues që na është besuar dhe t’i shoqërojmë të gjithë njerëzit vullnetmirë e në vecanti të krishterët në ecjen e tyre të shoshitjes për ndërtimin e një bote që të jetë në të njëjtën kohë me njerëzore e më hyjnore.