Pas aplikacioneve “SkyECC” dhe “EnchroChat”, në të cilët shqiptarët përgatitën vrasje dhe porositën sasi të madhe kokaine nga Amerika Latine drejt Europës, i radhës mund të ketë qenë aplikacioni “Matrix”, i cili tashmë konsiderohet nga autoritetet europiane si një tjetër platformë e përdorur nga krimi. Një operacion i përbashkët mes Francës, Holandës, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë dhe Spanjës çoi në zbërthimin e tij.

Europol njoftoi deshifrimin e më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë. Rrjeti kishte rreth 8,000 përdorues që paguanin midis 1300 dhe 1600 € për një abonim gjashtë mujor.

Me interes pritet nëse në mesin e tyre u përdor gjuha shqipe, rrjedhimisht e përdorur nga bandat shqiptare pas dekodimit të dy aplikacioneve të para, të cilat ndihmojnë SPAK të zbardh ngjarje kriminale të së shkuarës.Në Shqipëri ky aplikacion i koduar, është përmendur edhe nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani i cili thotë se përmes “Matrix” bandat vendase kryejnë porosi për vrasje dhe drogë.

“Matrix” është aplikacioni i pestë i deshifruar pas “SkyECC”, “Encrochat”, “Exclu” dhe “Ghost”.

Për tre muaj, autoritetet ishin në gjendje të monitoronin mesazhet nga kriminelë të mundshëm, të cilat tani do të përdoren për të mbështetur hetime të tjera. “Matrix”, një shërbim mesazhesh i bërë nga kriminelët për kriminelët, u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një të dënuar për vrasjen e një gazetari holandez në vitin 2021 dhe që atëherë një hetim në shkallë të gjerë për shërbimin e mesazheve filloi.

Shumë shpejt u bë e qartë se infrastruktura e platformës ishte teknikisht më komplekse se platformat “SkyECC” dhe “EncroChat”, më superior dhe më i sigurt. Përdoruesit mund t’i bashkoheshin shërbimit vetëm nëse merrnin një ftesë. Infrastruktura për të ekzekutuar “Matrix” përbëhej nga më shumë se 40 serverë në disa vende në Francë dhe Gjermani. Duke përdorur teknologji inovative, autoritetet mundën të përgjonin shërbimin e mesazheve dhe të monitoronin aktivitetin në shërbim për tre muaj. Më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë u përgjuan dhe u deshifruan gjatë hetimit, mesazhe që lidhen me krime të rënda si trafiku ndërkombëtar i drogës, i armëve apo pastrimi i parave.

Aksionet për rrëzimin e shërbimit dhe ndjekjen e kriminelëve u bënë këtë të martë në katër vende. Në Francë, një u arrestua, në Spanjë, u kapën dy pas një urdhër-arresti nga Holanda dhe gjashtë shtëpi u kontrolluan në Lituani, ndërsa serverët në Francë dhe Gjermani u hoqën. Kriminelët që përdorin shërbimin e mesazheve njoftohen për përgjimin nga autoritetet përmes një faqeje përkatëse.

Kriminelët, në përgjigje të ndërprerjeve të shërbimeve të tyre të mesazheve si “SkyECC” apo “EnchroChat”, janë kthyer në një sërë mjetesh komunikimi më pak të krijuara ose të ndërtuara me porosi që ofrojnë shkallë të ndryshme sigurie dhe anonimiteti.