Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp pas shpërthimit në fshatin Vragë të Zubin Potokut, ku u dëmtua kanali i ujit të Ibër Lepencit, deklaroi se sulme të tilla në veri po ndodhin për shkak të sukseseve që po korr Kosova.

“Grupet kriminale në veri janë shporrur, por elementë mund të ketë ende. Suksesi ynë po i çmend serbët dhe janë gjithmonë e më agresivë. Po të dështonte shteti i Kosovës, nuk do të na i bënin këto. Pikërisht pse jemi të suksesshëm po e hap këtë kapitull Serbia, ku po përpiqet të organizojë sërish bandat. Në veri nuk kemi ushtrinë tonë, por vetëm policinë tonë. Të gjitha ato që kemi paralajmëruar, kanë dalë të sakta”, deklaroi Kurti.

“Siguria për qytetarët në veri të Kosovës është shumë më e madhe seç ka qenë ndonjëherë. Nuk kanë çfarë i bëjnë më Republikës së Kosovës, por do të gjendet një person që hedh një granatë. Edhe vendet e Evropës Perëndimore kanë sfida të këtilla”, shtoi kryeministri i Kosovës.