Shpërthimi i fuqishëm i mbrëmjes së djeshme në veri të Kosovës, ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Zyrtarët e shtetit të Kosovës kanë bërë fajtor Serbinë për sulmin e fuqishëm.

Ndërkohë kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, ka shpërndarë në rrjetet e tij sociale disa pamje nga shpërthimi që ka ndodhur mbrëmë.

Mujka gjithashtu ka njoftuar se në një afat rekord u vendosën 6 tuba 900 mm në kanalin e dëmtuar me të cilat u mundësua furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali i Ibër Lepencit.

POSTIMI I PLOTË:

Të nderuar miq, dashamirë, qytetarë të Republikës së Kosovës.

Pas një nate plot ankth e stres, me gëzimin më të madh ju lajmëroj se pas një pune të palodhshme të gjithë akterëve relevant në kushte atmosferike tejet të rënduara, me në krye ndërmarrjen FAMIS CO, punëtorët e Ibër Lepencit dhe Policinë e Kosovës, në një afat rekord u vendosën 6 tuba 900 mm në kanalin e dëmtuar me të cilat u mundësua furnizimi i papenguar i KEK ut me ujë nga kanali i Ibër Lepencit.

Besojmë se shumë shpejt do të bëjmë zgjidhje edhe për furnizim me ujë të pijshëm.

Treguam se edhe ne dijmë të organizohemi shumë mirë e shumë shpejtë dhe të koordinohemi në mënyrë perfekte.