Kur Ismail Qemali më 28 nëntor 1912 u përgatit të shpallte pavarësinë e shtetit shqiptar kërkoi një flamur dhe nuk e gjeti. Murat Toptanit i ra ndër mend se e kishte parë një flamur në shtëpinë e Vlorajve, tek të cilët ishte mysafir.
Ia kërkuam Eqerem bej Vlorës këtë flamur të cilit ia kishte dhuruar Aleandro Kastrioti, sikur ta kishte ndjerë ditën e pavarësisë..Këta rreshta janë marrë nga libri me titull “ Nga Berati në Tomor ditar i Eqerem bej Vlorës.
Në një tjetër variant për historinë e flamurit është shkruar, se flamurin e prunë shqiptarët e Amerikës për Marigo Pozion në Korfuz, e cila e riprodhoi e shumëfishoi pasi e stilizoi me gratë e Vlorës. Varianti tjetër, se flamurin e solli nga Bukureshti Spiridon Ilo hidhet poshtë, sepse siç shkruan në kujtimet e tij Nënkonsulli austro-hungarez me emrin Kraus në letrën që i dërgon Ministrit të Jashtëm baronit Fon Erental në Vjenë….më 3 shtator të vitit 1908 me rastin e zgjedhjes së Ismail Qemalit në parlamentin Osman, ai sapo zbriti në Skelë, e cila ishte stolisur me ngjyrat e flamurit kuq e zi.
Në vargun e madh të rilindasve shqiptarë një vend të rëndësishëm ndër ata që ju kushtua cështjes së atdheut në ato çaste që po kalonte vendi ka qenë dhe patriotja me zemër të madhe nëna e kombit siç e quanin bashkëkohësit Marigo Pozion.Me anë të këtij shkrimi po kërkoj të shkruaj një faqe të rëndësishme të historisë tonë që pasardhësit tanë kur ta lexojnë të falenderojnë me mburrje këtë grua të shquar dhe nëpërmjet saj të kuptojnë vlerën e këtij flamuri të qëndisur me atdhedashuri që u valvit në ballkonin e shenjtë nga plaku i mençur Ismail Qemali.
Po cila ishte zonja e simbolit tonë kombëtar?Marigoja vajza korçare e martuar me Jovan Pozion nga fshati Hoçisht i Devollit u detyrua të largohet nga ky fshat për arsye të ndjekjeve që u bëheshin patriotëve dhe në vitin 1904 vendoset në Vlorë në lagjen Muradie.
Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe që nëpërmjet këtij shkrimi nuk mund të shpaloset me kompleksitetin e vet gjithë madhështia e kësaj figure, sublimiteti i jetës dhe veprës së saj për identitetin kombëtar dhe shoqëror për vlerat dhe karakterin e gruas shqiptare dhe emancipimin e saj në të gjithë Shqipërinë.
Në të gjithë veprimtarinë e saj spikati akti sinjifikativ i qëndisjes së flamurit që u valvit në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe si i tillë mbeti simbol duke u dekoruar me dekoratën më të lartë FLAMURI I KOMBIT( Dekreti 3292 i datës 15.04.2002).
Marigoja filloi një veprimtari të gjerë politike atdhetare dhe emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetarizmi ku zhvilloheshin biseda, qaheshin halle dhe hartoheshin thirrje e dërgoheshin letra për ta bërë Shqipërinë të lirë të pavarur dhe të përparuar.
Dokumentat flasin se në shtëpinë e çiftit Pozio shumë veteranë të çështjes kombëtare si Murat Toptani, Dervish Hima, Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Pandeli Cale, Ceno Sharra, Jani Minga e Mihal Grameno e kishin si shtëpinë e tyre dhe se nuk kanë kursyer asgjë për atdhenë.
Pas shpalljes të pavarësisë ajo lufton për krijimin e shoqërive patriotike dhe mirëbërëse dhe ia arrin qëllimit në muajin mars të vitit 1914 duke themeluar shoqërinë “Shpresa Kombëtare” në të cilën ajo siç shkruan gazeta “Populli”, se më e ditura grua e qytetit zgjidhet sekretare.
Lufta e Parë Botërore paralizoi veprimtarinë e shoqatës Shpresa Kombëtare dhe për këtë arsye më 23 janar të vitit 1921 ajo rifilloi aktivitetin e kësaj shoqate duke pasur në krye Marigo Poison e cila kreu detyrën e drejtoreshës të përgjithshme të gazetës Shpresa e Kombit gazeta e parë e gruas shqiptare e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë kombëtar ku qëllimi kryesor i kësaj gazete ishte të grumbullonte rreth vetes të gjitha gratë dhe vajzat të cilat me bindje e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike shkollimin dhe lartësimin e femrës shqiptare. Vajzat e saj Evridhiqi dhe Fereniqi të shkolluara në SH.B. A.
Ishin redaktore të kësaj gazete dhe gjithashtu ishin edhe anëtare dhe merrnin pjesë në orkestrinën që kishte krijuar grupi “Labëria”.Vajza e tyre Fereniqi dha një ndihmesë të rëndësishme për emancipimin e gruas shqiptare, shkroi me mjaft sukses në gazetat “Mbrojtja Kombëtare” dhe “Shpresa e Kombi”.
Nuk mund të lemë pa përmendur djalin e saj të vetëm Vaso i cili rradhitet ndër artistët e parë vlonjatë që organizuan shfaqjen e parë teatrale në këtë qytet me dramën historike “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos i cili luajti rolin e Aleksandrit.“Gazeta Zëri i Popullit” të Nju Yorkut e datë 18 shkurt 1913 e shtypit shqiptar që botohet në Amerikë në një artikull njofton se djali 14 vjeçar Vaso Pozio nga Vlora i kapërceu të gjithë shokët nga çdo pikëpamje dhe i uron djaloshit dhe prindërit la e me la.Në motivacionin e dekorimit të parë më 7 Mars 1960 pohohet pikërisht fakti se ka punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare.
Dekorata është me urdhërin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e muzeut të pavarësisë në Vlorë.Nuk mund të mos lëmë pa përmendur dhe shkrimin në gazetën Korça më 30Janar 1910 ku ajo cilësohet si një burim që buron kurdoherë dhe që nuk resht as shteron.Kjo grua e vyer e zhvilloi aktivitetin e saj patriotik e kombëtar si një nga anëtaret e Klubit politiko –patriotik dhe kulturor “Labëria” si dhe përkrahëse aktive e luftës së Vlorës të vitit 1920.Fryma e lartë atdhetare e kishte pushtuar të gjithë famljen e saj e cila shërbente si shembull për çështjen kombëtare.
Ajo gëzonte jo vetëm respektin e përkrahjen për burrin e saj Jovan,por edhe të fëmijëve të saj të cilët dalloheshin për veprimtari shoqërore dhe atdhetare.Në një poezi , e cila i është kushtuar Marigos në gazetën –Besa në të Tiranës e vitit 1934 datës 28 Nëntor shkruhet.
Cila dorë e pat punuar
Kombit kush ja pat kushtue
Atë flamur që valoj në Vlorë
Ajo qe një atdhetare
Marigoja grua korçare
Që punoj porsi burrë
Që s”ju shmang detyrës kurrë.
Sëmundja e pashërueshme tuberkulozit ia merr të tre fëmijët. Nga kjo sëmundje e kohës sëmuret edhe vetë ajo. Me gjithë mjekimet e me gjithë dhimbjet që provonte në trup gjeti forca për të biseduar me aktorin e madh Aleksandër Moisiu për të kujtuar Shqipërinë e shqiptarët.Në gusht të vitit 1932 mbylli sytë shqiptarja e shquar Marigo Pozio.
Atë do ta varroste me nderim populli fisnik i Vlorës që kurrë nuk e ka harruar por i ka dhënë vendin që i takonte si përfaqësuesja më e denjë e femrës shqiptare.Shtëpia e rikonstruruar ku ka banuar Marigoja falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj Violeta Posio me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë u kthye në një shtëpi muze dhe mirëpriti e mirëpret vizitorë shqipëtarë nga e gjithë bota. / Nga Kastriot KOTONI