Drejtuesja politike e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka reaguar pas vendimit të lirimit të kryeopozitarit, Sali Berisha. Përmes një postimi në rrjetin e soj social, Facebook, Topalli e konsideron lirimin e Berishës, si një dëshmi të forcës së të vërtetës dhe qëndresës.

Topalli u shpreh se Berisha jetoi 350 ditë padrejtësie, por sipas saj, kreu i opozitës nuk reshti kurrë së frymëzuari njerëzit për të rezistuar ndaj një qeverie të korruptuar. Sipas Topallit, arrestimi i Berishës ishte politik dhe u mbajt peng nga qeveria.

Më tej, Topalli thekson se rezistenca ndaj këtij regjimi të korruptuar vazhdon dhe populli nuk do të ndalet deri në rikthimin e lirisë dhe drejtësisë në Shqipëri.

“Sot, pas 350 ditësh padrejtësie, gjykata liroi kryetarin e opozitës, Sali Berisha.

Për 350 ditë, nga dritarja e qelisë, ai nuk reshti së foluri dhe së frymëzuari njerëzit për të rezistuar ndaj një qeverie të zhytur në korrupsion dhe skandale.

Arrestimi i tij ishte politik, një akt në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo standardi të drejtësisë. Pa asnjë provë, ai u mbajt peng nga një pushtet që ka frikë nga zëri i qytetarëve dhe opozita e vërtetë.

Lirimi i tij sot është një dëshmi e forcës së të vërtetës dhe qëndresës. Por beteja nuk ka përfunduar! Rezistenca ndaj këtij regjimi të korruptuar vazhdon, dhe populli nuk do të ndalet deri në rikthimin e lirisë dhe drejtësisë në Shqipëri.

Forca e së drejtës është më e madhe se pushteti i padrejtësisë!” shkruan Topalli.