Kryetari i Bashkisë ka inspektuar sot kantierin e punimeve në zonën e Zdrales, e cila po përjeton një transformim të dukshëm nga dita në ditë.

Në një pjesë të kantierit tashmë është hedhur shtresa e betonit, ndërsa në vijim do të nisë edhe shtrimi i pllakave të gurit.

Gjatë inspektimit, kreu i Bashkisë theksoi rëndësinë e cilësisë maksimale në realizimin e punimeve, duke kërkuar standarde të larta që të sigurojnë lehtësi dhe siguri për qarkullimin e banorëve të zonës.

Punimet po mirëpriten nga banorët të cilët falenderuan kryetarin e Bashkisë për investimin që po ndryshon fytyrën e zonës dhe po përmirëson kushtet e jetesës.

Projekti i Zdrales, një nga investimet më të rëndësishme të këtij viti, parashikon ndërhyrjen nga ‘Xhamia e Parrucës’ dhe vazhdon deri në qendër të sheshit të Zdrales pranë peshkut.

Ky investim parashikon transformimin e plotë të kësaj zone, me ndërhyrje në rrjetin nëntokësore, në rrugë, pjesën e fasadave dhe ndërhyrje në ruajtjen e banesave të vjetra të cilat janë të vendosura në këtë pjesë të qytetit.