Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani ka marrë një rrjedhë tjetër, për shkak të dyshimeve se ngjarja nuk ka një autor por dy të tillë. Disa media kanë shkruar se një prej autorëve të vrasjes është mbuluar nga Policia për shkak të lidhjeve të forta të prindërve të tij. Bëhet me dije se autori i dytë i vrasjes së Canit është Kledjon Bejkaj, shok i autorit Mario Prelleshaj dhe djali i një prej hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Maksim Bejkaj. Ndërsa nëna e Bejkajt, Nevila është Specialiste e Regjistrave dhe Statistikës pranë Prokurorisë së Posaçme.
Njoftimi
Por Bejkaj nuk është përmendur vetëm nga mediat, pasi ka qenë vetë shoku i Martin Canit, Luis Meçja, i cili mbeti i plagosur nga zënka, që ka thënë se ata u goditën nga dy persona. Në dëshminë para policisë, Meçja ka deklaruar se janë goditur nga dy bashkëmoshatarë, përveç autorit të arrestuar edhe nga një person tjetër shok i autorit. Sipas të plagosurit autori ka pasur thikë më të madhe, ndërsa personi tjetër thikë më të vogël dhe të dy i kanë qëlluar.
Kledjon Bejkaj
Ndërsa babai i Luisit, Fiqiri Meçaj në media ka denoncuar me emër se personi i dytë i përfshirë në vrasjen e Canit dhe plagosjen e djalit të tij, është Kledjon Bejkaj. Meçaj ka thënë se Bejkaj mbante një thikë të vogël dhe ka goditur pas shpine të birin. Ndër të tjera ai ka thënë se 14-vjeçarin prindërit me influencë në BKH po mundohen ta nxjerrin jashtë Shqipërisë.
“Janë dy persona që kanë goditur me thikë fëmijët tanë, nuk është një. Luisi i ka parë që janë dy persona. Po ta them me emër që personi i parë që e ka goditur Luisin me thikë pas shpine është Kledjon Begaj, bashkëmoshatar dhe shok i autorit tjetër. Ky Kledjoni e ka pasur thikën më të vogël, rreth 10-12 cm dhe këto dëshmi i dhashë sot te Drejtoria e Policisë. Kledjoni e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, plaga në shpatull është më shkurtër si plagë dhe më e ngushtë se ajo në bark, herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur Mario, dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë. E ka ngrit dhe në atë moment ju hodhën të dy”, tha babai i Luisit.
Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se në përleshjen në shkollën Fan Noli janë përfshirë dy grupe fëmijësh. Lala tha se edhe Martini, edhe autori i krimit kanë qenë të shoqëruar nga persona të tjerë, bashkëmoshatarë. Ndërsa ndër të tjera Lala deklaroi se shoku i autorit të dyshuar të ngjarjes është djali i një hetuesi të SPAK.
“Në ngjarje kanë qenë 5 persona. Martin Cani, ka qenë me Luizin dhe me djalin e tezes. Vrasësi i dyshuar ka qenë me një mikun e tij, që nuk është ndaluar nga policia, pasi rezulton se nuk është përfshirë në ngjarje. Janë përleshur dy grupet e fëmijëve. Shoku i autorit të dyshuar rezulton se është djali i një hetuesi të BKH, pranë Prokurorisë së Posaçme. Grupi i hetimit ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur autor të dytë në ngjarje. Por çështja po hetohet. Me akt-ekspertimin do arrihet në përfundimin sesa thika janë përdorur në ngjarje. Akt-ekspertimi zbardh ngjarjen,” tha Lala.
Por Policia e ka mohuar që në ngjarje të ketë një autor të dytë. Pasi në fillim dolën lajmet që një tjetër i përfshirë në vrasjen e Martinit, është lënë i lirë, Policia me anë të një komunikate për mediat ka theksuar se sipas dëshmive dhe pamjeve filmike që ata disponojnë, nuk ka një autor të dytë të ngjarjes.
“Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë. Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje. Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çështjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Thika e vrasjes
Por njoftimi i Policisë ka dalë bllof në momentin që është zbuluar arma e krimit, thika që është përdorur për plagosjen. Thika u gjet disa ditë më vonë pranë godinës së ATSH-s bashkë me një çantë. Por thika që policia gjeti, nuk përkon me thikën që autori i ngjarjes Marjo Përlleshaj ka publikuar në rrjetin social SnapChat, pak minuta pasi kreu krimin. Tashmë grupi hetimor është kthyer sërish në vendin ku u gjet çanta e autorit dhe arma e krimit për të sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë që mund të bëjnë të mundur përgjigjen e shumë pikëpyetjeve./Dosja.al