Ditën e djeshme Prokuroria e Posaçme lëshoi dje 18 urdhër-arreste me burg, një urdhër-arrest shtëpie dhe dy masa “detyrim paraqitje”, nga të cilat vetëm disa janë ekzekutuar. Nga ky operacion i SPAK, rezulton se një prej urdhër arresteve ishte ndaj snajperistit nga Shkodra, Prek Kodra, i cili dyshohet se tentoi t’i bënte atentat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Plani u zbulua në një e-mail sekret të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano në shtator 2022. Të dhënat nga e-mailet drejtuar Gledis Nano (i cili mbante në atë kohë postin e kryepolicit) që u publikuan nga hakerat, zbuluan planin e dy personave nga Kosova dhe një tjetër nga Shqipëria për të vrarë Kurtin. Sipas e-mailit gjithçka duhej bërë për të sjellë destabilizim në të dyja vendet. Ai i është dërguar në vitin 2021 ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nanos.
Prek Kodra, sikurse raportohet, ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Duke iu referuar informacioneve të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Një muaj më pas thuhet se do të vritej Xhavit Haliti, që të dukej gjithçka si hakmarrje mes tyre. Ndërsa pas tyre do të vritej kryeministri Albin Kurti, për të destabilizuar Kosovën. Këto tre vrasje ishin planifikuar të kryheshin në harkun kohor të 3 muajve të ardhshëm që nga hartimi i planit.
Kodra dyshohet i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Kosovë dhe Mal të Zi. Kodra rezulton me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.