Gazetari Artan Hoxha ka reaguar për herë të parë, pasi Prokuroria e Posaçme i caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Gazetari ka treguar se mëngjesin e sotëm, u janë bastisur banesat dhe agjentët iu kanë marrë të gjitha mjetet e punës. Më tej ai ka deklaruar se pasdite janë paraqitur në SPAK bashkë me kolegun e tij Elton Qynon, ku u janë kthyer mjetet e sekuestruara.
“Jam në detyrim paraqitje me Eltonin, nuk kam arrest shtëpie. Thjesht në mëngjes herët na bastisën shtëpitë, morën gjithë mjetet e punës, celularë, tablet, laptop, usb hardisk, kaseta video gjithë arshivën. Materiale te papublikuar te SPAK, ku flitet për politikën dhe implikimin në zgjedhje. Pasdite na thirrën, na kërkuan ndjesë dhe na thanë që bastisja në banesë është bërë në shkelje të ligjit dhe na kthyen mjetet e punës. Pra ontrolli i banesave ne mëngjes dhe sekuestrimi i provave u cilësua i paligjshëm pasdite prandaj na kthyen gjithë gjerat”, deklaroi Artan Hoxha për Top Story.
Operacioni i SPAK
Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar një operacion në Elbasan pas zbërthimit të bisedave në SKY ECC. Aksioni në Elbasan është zhvilluar për kapjen e Suel Çelës dhe goditjen e grupit të tij kriminal. Në kuadër të operacionit janë lëshuar 18 udhërarreste në burg, një urdhërarrest në shtepi dhe dy masa sigurie. Deri më tani janë ekzekutuar vetëm disa prej tyre.
Konkretisht masa “arrest në burg” është ekzekutuar për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu (gjatë ushtrimit të detyrës i shërbente krimit, ndodhet në arrest shtëpie për përfshirje në dosjen e grupit të Çopajve po në Elbasan), ish-kreun e gjyqtarëve në Elbasan Zihni Shahu, ish-shefin e krimeve në Tiranë, Dedan Gjonin (aktualisht në burg për dosjen “Metamorfoza 2”) dhe biznesmenin Marsel alias Bujar Shega (dyshohet se pastronte paratë e grupeve kriminale përmes kompanive të tij).
Masa e sigurisë “detyrim paraqitje” është vendosur për dy gazetarët Artan Hoxha (akuzohet si pjesëmarrës në organizatë kriminale) dhe Elton Qyno (akuzohet për korrupsion pasiv në sektorin privat). Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është caktuar për Blerina Beqirin, avokatja e anëtarëve të grupit të Suel Çelës.
Në kuadër të operacionit që po zhvillohet dhe në Tiranë janë kontrolluar një sërë banesash, kryesisht në qytetin e Elbasanit, ish-gjyqtarësh, përfshirë edhe ato të Zihni Shahut dhe Taulant Tafës, dhe 2 ish-prokurorëve. Të sipërpërmendurit dyshohet se kanë dhënë vendime korruptive duke favorizuar Suel Çelën dhe grupin e tij kriminal. Me urdhër të SPAK, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle të befasishme në ‘bazat’ e Suel Çelës. Operacioni u organizuar pas zbërthimit të bisedave në SkyECC, ku ka dyshime se emrat e gjyqtarëve përmenden në një bisedë për zbutjen e një mase sigurimi personal. Operacioni i SPAK për ekzekutimin e masave të sigurisë, i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.