Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2.8 vite burg, ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e Vangjush Dakos me 4 vite burg për “shpërdorim detyre” në dy raste. Ndërkohë për shkak të gjykimit të shkurtuar Vangjush Dako u dënua me 2.8 vite burg. Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Ardian Bulku po ashtu u dënuan me 2 vite burg, por GJKKO e konvertoi dënimin e tyre me shërbim prove.
Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë. Ai u arrestua në muajin qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi Prokuroria e Posaçme nuk arriti të përfundojë hetimet brenda afateve.