Me mbishkrimin “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, përpara ministrisë së Arsimit u mbajt protesta e dytë qytetare për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
Pasi priti në banesën e tij ngushëllimet, protestës iu bashkua babai i Martinit, që në heshtje, por me lot në sy, ndoqi thirrjet për drejtësi për të birin e vrarë.
Në emër të familjes thirrjen për drejtësi, e bëri gjyshi i 14-vjeçarit, që u shpreh se Martinit iu prenë në mes ëndrrat. Kërkoi drejtësi, ndryshe tha se jeta e tij nuk ka më kuptim.
Nëse nuk do zgjidhet që ky problem, që Martini të shkojë në vendin e duhur, unë do e ndjek këtë problem si kur ra Martini për hir të demokracisë do bie edhe unë se s’ka çfarë me duhet më jeta. Nuk dua kurrën e kurrës që të bej keq kujt. Kurrë nuk dua, as kurrë nuk i dëshiroj keq kurrë. Të vihet drejtësia në vend”, tha gjyshi.
Fjalë të ndjera dhe shumë lot, pati edhe në mesazhin e Jonida Progës, motra e Egli Progës që u vra pak kohë më parë pas një sherri në Pogradec, e cila kërkoi që edhe qeveria të mbajë pjesën e saj të përgjegjësisë.
“Erdha sot për Martinin, çfarë zemre duhet të ketë një nënë që as nuk mallkon e as nuk kërkon hakmarrje për kasapin e djalit të saj. A ka njeri në Shqipëri të ma thotë. Florina vetëm vajton e vajton dhe nuk kërkon asgjë, e as drejtësi. Të kërkojmë drejtësi hyjnore dhe jo juridike. Këto do ta fillojmë, sot do kërkojmë përgjegjësi morale për therjen e Martinit”, tha Jonida Proga.
“Organet ta çojnë deri në fund këtë ngjarje, duam transparencë totale dhe drejtësi për Martinin”, tha aktorja Eliona Pitarka.
Në këtë protestë paqësore, që iu bashkuan prindër e fëmijë, u hodh sërish bojë e kuqe në drejtim të ministrisë dhe gjurmë duarsh u lanë në muret e saj.
“Fëmijët janë të rritur, por nëse nisemi me premisën që meqë s’kam nuk shkojmë asgjëkundi. Shoqëria ka nevojë për sensibilizim, prandaj jemi përballë kësaj godine. Përderisa nuk ka reagim për mbajtje përgjegjësie, duhet shkulur nga themelet. Shpresoj se duhet të këtë reagim institucional me mbajtje përgjegjësie, duke nisur nga ministria e Arsimit, Drejtoria e Arsimit të Tiranës dhe Drejtoria e Shkollës. Nuk mund të konsiderohet një ngjarje e veçuar, është pasojë e një seri fenomenesh që ndodhin në arsimin shqiptar”, tha një protetsues për Report Tv.
“Kësaj ministre s’kemi ca i kërkojmë gjë tjetër veçse dorëheqje. Kërkojmë dorëheqje dhe vetëm dorëheqje. Kushdo që vjen pas saj, i kërkojmë rritje buxheti dhe përkujdesje për shkollat. Duam politika të reja arsimore, nuk duam shkollë si burg, duam politika për përkujdesje dhe jo policimi. Politika që i sigurojnë fëmijët vetëm përmes përkujdesjes”, tha një tjetër protetsues.
Protestuesit paralajmëruan se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre deri të mërkurën, do të bojkotohet mësimi dhe do të nisin protestat në dyert e shkollave.
Vrasja e Martin Canit pranë shkollës “Fan Noli” nga bashkëmoshatari I tij me thikë në zemër u pasua me kërkesat e prindërve e shoqërisë civile për dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu, më tepër buxhet, psikologë në shkolla, staf mbështetës, shtim të sigurisë etj.
Kërkesat e Shoqërisë Civile
-Shtimi i buxhetit në 5% të PBB
-Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe staf mbështetës
-Rritja dhe plotësimi 100% i shkollave me psikologë, raporti 1 psikolog për çdo 200 nxënës
-Qëndrimi nxënësve në shkollë deri në 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat
-Zbatimi emergjent i rregullit për heqjen e telefonave në orën e mësimit
-Miratimi i legjislacionit për vendosjen e filtrave parandalues të përmbajtjeve me gjuhë urrejtje për fëmijët nën moshën 14 vjeç
-Krijimi i një sistemi të raportimit të rasteve ku të ndërlidhen të gjitha hallkat
-Çdo shkollë duhet të ketë oficerin e sigurisë
-Dorëheqje e menjëhershme e ministres së Arsimit.