Operacioni i SPAK, i zhvilluar në disa qarqe të vendit, ka çuar në arrestimin e ish-gjyqtares të Elbasanit, Pajtime Fetahu, dhe ka zbardhur lidhjet e saj me grupin kriminal “Çopja”. Hetimet për këtë operacion janë nisur që në fund të korrikut të këtij viti, kur u zbuluan ngjarje të rënda kriminale, duke përfshirë dyshimet për përfshirje të zyrtarëve të drejtësisë.

Sipas SPAK, Pajtime Fetahu, e cila dha dorëheqjen nga drejtësia në 2022, dyshohet se ka ndihmuar bandën “Çopja” duke u ofruar informacion sekret dhe duke përfituar përfitime të padrejta, përfshirë shuma parash dhe dhurata si një monedhë floriri dhe një aparat celular. Hetimet kanë nxjerrë në pah se ajo ka falsifikuar vendime gjyqësore dhe ka ndihmuar në favorizimin e anëtarëve të grupit rival të Çopjave, si dhe është përfshirë në disa krime të tjera.

Nëpërmjet komunikimeve të zbërthyera në aplikacionin Sky Ecc, është zbuluar se Fetahu ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, duke u kontaktuar për të ndihmuar në dëmtimin e rivalëve të tyre. Përveç kësaj, Fetahu ka pasur përfshirje në manipulimin e proceseve gjyqësore për të favorizuar anëtarët e grupit të saj. Sipas dosjes hetimore, Pajtime Fetahu ka marrë nga shtetasi Mikael Kamami (Qosja) nëpërmjet Arzen Mamës shuma monetare si përfitim i padrejtë, 10.000 Euro, 1.000 Euro dhe një monedhe floriri si dhuratë për mbesën e porsalindur, thuhet në dosjen hetimore të SPAK. Në bisedat mes anëtarëve të grupit, evidentohet fakti se Fetahu kërkonte edhe një aparat celular prej tyre.

Ish-gjyqtarja është akuzuar për korrupsion dhe është vënë nën hetim për falsifikim vendimesh dhe zbardhjen e akteve sekrete. Ajo dha dorëheqjen disa ditë para se të përballej me procesin e Vettingut në vitin 2022. Gjatë periudhës që ishte nën hetim, ajo është shfaqur e shqetësuar dhe ka mohuar akuzat ndaj saj.

Ky operacion ka përfshirë gjithashtu arrestimin e një zyrtari tjetër të përfshirë në korrupsion, siç është Martin Musaj, zv/drejtori i burgut të Bradasheshit. Hetimet e SPAK vijojnë për të zbardhur lidhjet e tjera të mundshme të grupeve kriminale me drejtësinë dhe zyrtarët e përfshirë në to.