Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar pas dëshmisë së babait të adoleshentit të plagosurit gjatë ngjarjes së vrasjes së Martin Canit. Sipas njoftimit, autoritetet kanë konfirmuar se nuk ka një autor të dytë të përfshirë në këtë ngjarje. Policia shprehet se ka marrë në pyetje nën drejtimin e prokurorit të çështjes, prindin e të miturit të dëmtuar, L. M., për të hetuar pretendimet e tij.

Grupi hetimor është duke vlerësuar këto deklarata, duke i krahasuar me provat dhe faktet e tjera të administruara gjatë hetimit. Ende nuk janë dhënë më shumë detaje mbi të tjera zhvillime të mundshme në këtë çështje, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.

“Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë.

Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje.

Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çeshtjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi.

Nga ana e Policisë Gjyqësore në drejtimin e prokurorisë po kryhen veprime intensive per zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe individualizimin e përgjegjësive penale të personave konkretë.”

Sipas Policisë së Shteti çdo keqpërdorim i tragjedisë së humbjes së një jete, nga ana e mediave, dëmton sekretin hetimor dhe dizinformon opinion publik.