Nga ELENI KARAMITRI
Peter R. Prifti – Ambasador i Historisë dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë
( 24 nëntor 1924 – 17 gusht 2010 )
Peter R. Prifti është një prej personaliteteve më të spikatura të Diasporës Shqiptare në Amerikë dhe një figurë rrallë e përsëritshme intelektuale. Një nga më të shquarit studiues e historianë të kombit shqiptar, i fundmi i kohës Noliane, që promovoi imazhin e një Shqipërie të qytetëruar dhe Europiane. Eshtë dukuria intelektuale që u rrit në mjedisin demokratik amerikan, duke ruajtur frymën shqiptare, dashurinë për kombin, për kulturën, historinë dhe nderimin për Fan Nolin, përVatrën dhe Diellin, me të cilët bashkëpunoi e kontribuoi tërë jetën me përkushtim. Anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane me qendër në New York, u shqua në fushën e gazetarisë duke përfaqësuar një zë bashkëkohor e profesionist në arte e letërsi. Për të ruajtur të pacënuar imazhin e Shqipërisë, Peter Prifti nuk u ndal me argumentet e tij në artikuj të publikuar në enciklopedi serioze si: Encyclopedia Britannica, Compton’s Encyclopedia, Encyclopedia Americana, Collier’s Encyclopedia, World Book Encyclopedia, etj. Akademiku shqiptaro-amerikan, profesor Peter Prifti është kontribuesi i parë shqiptar në prestigjiozen Encyclopedia Britannica. Ky kontribut jo i zakonshëm, e bën të zëshme këtë figurë në botën intelektuale të diasporës jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi artikujt e publikuar prej tij në këtë revistë janë me shumë vlerë për Historinë e Shqipërisë dhe Letërsinë Shqipe. Në serinë e librave Shkrimtarë Ndërkombëtarë, në botimin Shkrimtarë nga Europa Lindore” (Londër 1991), shënohet: Peter Prifti është një konsulent për shqipen në Departamentin e Linguistikës në Universitetin e Kalifornisë, në San Diego. Ai shkruan rregullisht për tema të ndryshme lidhur me Shqipërinë, kryesisht mbi historinë, literaturën dhe çështjet aktuale.
Patriot në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, Peter Prifti kërkonte që imazhin e mirë të Shqipërisë kudo në botë, ta mbronin vetë shqiptarët. Ai ka meritë se nuk rreshti së mbrojturi fuqishëm integritetin territorial të gjithë shqiptarëve, në rrethet shkencore, politike e diplomatike. Në emër të drejtësisë dhe barazisë njerëzore, nuk u lëkund asnjëherë të mbronte gjithshka që mendonte se ishte korrekte dhe e ndershme. Në veprimtarinë e organizuar nga Federata Panshqiptare Vatra (16-18 nëntor 2010), In Memoriam: Në kujtim të ndarjes nga jeta të Peter Priftit, I Përndershmi At’ Arthur Liolin përcjell mesazhin e tij mbresëlënës për privilegjin që ai personalisht kishte pasur duke ndarë së bashku me Peter Priftin, momente të çmuara si miq e kolegë: Ai ishte një nga më të shquarit studiues dhe historianë për kombin shqiptar dhe popullin e vet. Personaliteti krijues i Peter Priftit, u shkri në një me avokatësinë për mbrojtjen e të drejtave themelore e qytetare humane, si këtu në Amerikë dhe jashtë saj. Mirësjellja e tij e heshtur, mbeti legjendare sidomos në trajtimin e çështjeve apo problemeve të rëndësishme që evokonin pasion. Ai ishte një burim i pashtershëm për ne të gjithë.Tek ai gjeje bashkëpatriotin e plotëbesueshëm, akademikun e shquar dhe personalitetin e respektuar.
Asnjëherë i shtyrë nga vetkënaqësia po kurdoherë i prirur nga patriotizmi, nga krenaria kombëtare, Peter Prifti e tregoi angazhimin e tij aktiv në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan edhe në krye të Vatrës dhe si editor i Diellit. Së bashku me emra të njohur si Fan Noli, At Artur Liolin, Gjon Sinishta, Stavre Skendi, Arshi Pipën, Sami Repishti dhe intelektualë të tjerë patriotë, ai shkroi një sërë artikujsh, reçensash dhe intervistash, me qëllim ndërgjegjësimin e opinionit publik amerikan mbi çështjet shqiptare. Veprat e tij janë një hulumtim objektiv historiko-social-politik e kulturor, vijim i studimeve të nisura në Sektorin për Studime Ndërkombëtare në Massachusetts Institute of Technology në Cambridge, një nga më të famshmit e këtij lloji, ku P. Prifti u mor kryesisht me çështjet shqiptare. Studiuesi i njohur, profesor Peter Prifti, ka qënë anëtar i Departamentit të Gjuhësisë në Universitetin e Kalifornisë, San Diego. Veprimtar i shtypit shqiptar në Amerikë, ai ka bashkëpunuar, ka shkruar e botuar në fusha të ndryshme, për demokratizimin e Shqipërisë, për çështjen e Kosovës dhe studime rreth historisë dhe letërsisë shqipe. Kosova zë vend të veçantë në botimet e tij, duke e vazhduar në vijimësi gjatë gjithë jetës këtë kauz, vështruar nga pozitat e demokracisë së vërtetë, sipas modelit Amerikan.
Komentet dhe analizat e Peter Priftit dallohen për forcën e argumentit, vërtetësinë, sinqeritetin dhe kthjellësinë e mendimeve. Në gazetën Dielli të 8 tetorit 1958, ai shkruan editorialin: Dilema e shqiptarëve të Amerikës-Të venë apo të mos venë në Shqipëri ? Është koha kur Washingtoni u ka mundësuar shqiptarëve të Amerikës ardhjen në Shqipëri, por ata ishin të pavendosur. Peter Prifti paraqet dilemat për grupime të veçanta; për ata që kanë familjet atje, për grupimin politik që i druhet shkuarjes për arsye politike, për ata që i druhen sëmundjeve, për ata që i friken ndonjë lufte dhe mund të mbeten matanë, etj. Ai nuk kursehet t’ju flasë hapur shqiptarëve: Kujdes, mos shkoni në Shqipëri me mendësi amerikane dhe mos harroni faktin se Amerika nuk ka përfaqësi diplomatike në Shqipëri. Ju bëni si të doni, por unë po shkoj… Peter Prifti erdhi në Shqipëri, po sigurisht duke lënë pas mendësinë amerikane e duke respektuar mendësinë shqiptare të kohës. Ishte shumë herët për t’iu afruar Shqipërisë dhe shqiptarëve me mendësi amerikane. Duhej pritur me durim koha kur mund të ndodhnin ndryshimet e mëdha. Pranë Fan Nolit dhe Vatranëve të tjerë me përvojë, që sikurse ai vetë i kishin familjarët në atdhe, Peter Prifti e njihte situatën në Shqipëri dhe mentalitetin e bashkatdhetarëve të tij të rënduar nga propaganda dhe politika e pafre e diktaturës.
Brënda diasporës, sidomos në vitet pas 1990-ës, dallohet një mbivendosje e autorëve të mërgatës së re. Profesor Peter Prifti, me humanizmin që e dallonte, u bë mbështetja e kësaj fryme të re në përmbushjen e kërkesave për zhvillim dhe informim lidhur me historiografinë dhe kulturën. Si ekspert në fushën e gjuhësisë, kërkimit dhe studimit, larg gjuhës së rëndomtë e të varfër publicistike, ai përkrahu fenomenet e reja në diasporë për këta emigrantë, që si shumë të tjerë sikurse edhe atë vetë, atdheu i kishte shpallur “kundërshtarë të regjimit”. Peter Prifti dha ndihmë pa asnjë shpërblim, si autor shkrimesh, studiues e përkthyes, për Shoqatën e shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Përkrahës dhe anëtar i kësaj shoqate që prej themelimit, ai cilësohet…Deri në fund të jetës, Nderi që nderon të gjithë krijuesit në këtë kontinent dhe më gjerë.”1
Autorët në diasporë, e në veçanti brezi i Peter Priftit, kanë qënë autorë veprash e publicistë, jo rrallë, me profile të disafishta, për shkak të rrethanave në të cilat e kryen veprimtarinë e tyre. Kështu e kërkonte koha dhe vendi ku kishin emigruar. Patriotët dhe shkollarët e emigruar ishin misionarë. Përmës shkrimeve informonin për ngjarjet dhe situatat politike, në mënyrë që Komuniteti shqiptar në Amerikë të qëndronte i bashkuar dhe i informuar edhe pse larg atdheut. Në këtë vështrim, studimet dhe kontributet e Peter Priftit shtrihen në disa fusha. Ai dallon si autor e bashkautor në disa libra të botuar, në shkrime me tematika të ndryshme, në gjuhësi, letërsi, histori, arkeologji e besim fetar, autor portretesh e figurash të shquara, recensione në shqip e anglisht, përkthime e krijime letrare. Në gjithë këtë intensitet shkrimesh e botimesh, ky autor jep shumë pak të dhëna për jetën dhe veprën e tij. Prej modestisë që e karakterizonte, ai ua ka lënë në dorë studiuesve dhe lexuesve të thonë fjalën e tyre për këtë kontribut.
Botimet e librave të Peter Priftit si autor e bashkautor janë në anglisht. E filloi punën e tij akademike më 1969, me studimin monografik: Kosovo in Ferment , ndërsa punonte në Institutin Teknologjit të Masaçusets (MIT). Më pas ai do të radhitej krahas studiuesve anglisht-folës me libra të tjerë të shkencave politike si: Socialist Albania Since 1944: Domestic and Foreign Developments, M.I.T.,1978, Confrontation in Kosova: The Albanian-Serb Struggle: 1969-1999, botim 1999, Remote Albania: The politics of isolation (Shqipëria e largët: Politika e izolimit) 1999 dhe ribotim 2002, Land of Albanians-A crossroads of Pain and Pride (Vendi i shqiptarëve-një kryqëzim i dhimbjes dhe krenarisë) 2002, monografinë Unfinished Portrait of a Country, 2005, (Portret i pambaruar i një vendi) 2005, Albanian Mosaics (Mozaik shqiptar), 2005, i vetmi libër në gjuhën shqipe. Botimet vazhdojnë si bashkautor në Readings in Albanian,1979, Spoken Albanian,1980, Standard Albanian, 1982.
E vërteta është se, ne jemi shqiptarë po nuk e njohim ende sa duhet botën intelektuale shqiptare të përtej kufijve tanë dhe kontributet e saj. Edhe pse ka kohë që kufijtë e Shqipërisë janë hapur, ka ftohtësi në këtë drejtim. Ndodh kështu edhe me diasporën shqiptare të Amerikës, ku izolimi i gjatë në vite, largësia fizike, pa harruar prapagandën, kanë bërë punën e vet, duke i qëndruar larg tezës për njohjen e saj. Vështruar kështu dhe duke gjurmuar aktualitetin, duhet të kujtojmë fjalët e vatranit Konstandin Demo në librin e tij Shqiptarët në Amerikë, imigrantët e parë, (The Albanians in America: The first arrivals)1960, se, Libri i Historisë së Shqiptarëve të Amerikës, vepra heroike e atyre burrave fisnikë, që lanë trashëgim një histori me të cilën mburrremi, po mbetet në dollap dhe rrezikon të myket e të harrohet së shpejti. 2
Veprimtaria shkencore e Peter Priftit thuajse është e panjohur nga bota shqiptare, prandaj veprat e tij duhet të përkthehen shqip, që t’i përkasin trungut amë dhe që të njihet puna dhe vlera patriotike e tij. E kemi për detyrë morale dhe qytetare t’i njohim e t’i nderojmë patriotët dhe shkencëtarët tanë të çdo fushe, për të mbajtur lart dinjitetin kombëtar. Kjo detyrë, shënon shkrimtari Naum Prifti, i përket së pari, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e po ashtu, institucioneve përkatëse. Pas largimit të Peter Priftit nga kjo jetë, i vëllai, shkrimtari Naum Prifti, u kujdes që arkivi i rrallë personal i Peter Priftit, i njërit prej kontribuesve më të njohur të çështjeve shqiptare në ShBA, të depozitohej në Philadelfia, atje ku ai u rrit dhe u edukua, së pari në kolegj e më pas, në Universitetin Pensilvania, ku fitoi gradën Master në Philosofi me studimin që kreu për jetën dhe veprën e filozofit skocez David Hume (Deivid Hjume). Peter Prifti punoi me pasion për veprën filozofike të Hjumit, që mendonte se, njerëzit që shkruajnë për jetën e tyre, janë të kapur nga një ndjenjë e tepëruar e vetëdashjes…Duke mos dashur të radhitej mes këtyre njerëzve, ai la të shkruar një Autobiografi shumë të shkurtër për vete.
Pranues i kësaj teze, vetë Peter Prifti që tërë jetën nuk rreshti së shkruari për jetën dhe veprën e të tjerëve, shkroi aq pak, apo aspak, për veten e vet. Kjo nuk e bëri të lehtë punën studimore për hartimin e monografisë kushtuar figurës së tij, Peter R Prifti në botën e dijetarëve shqiptaro-amerikanë, E.K. 1997 dhe më pas të bibliografisë për të, e cila përfshin shumë zëra dhe volum pa numër faqesh, për të cilat, sistemimi dhe studimi, ishte një histori më vete mundimi e angazhimi serioz, deri në botimin e librit Diaspora Shqiptare në Amerikë-Studime letrare, dëshmi, bibliografi, E.K. 2017.
Në letrën e datës 10 maj 1996, ndër të tjera, profesor P. Prifti më shkruan: Shoh se je entuziasmuar shumë për vizitën që kam në plan të bëj aty këtë vit dhe mendon ta bësh atë një “ngjarje publike”. Në të vërtetë, unë nuk e konceptoj kështu vizitën time në Shqipëri. Ti e di se unë jam njeri “privat” dhe mjaft i tërhequr në publik. Nuk më pëlqen celebrimi i vetvetes. Më mjafton reklama që më bën puna e kryer.
Sikurse për shumë studiues, për të cilët, trashëgimia pasurore përfundon vetëm në libra e letra, edhe Peter Prifti, një jetë të tërë pune e sakrifice intelektuale, e mbylli historinë e jetës duke lënë pas trashëgim një Arkiv shumë të pasur shkrimesh me interes. Janë rreth 200 dosje me dorëshkrime, studime e recensione, artikuj, letra, aty gjendet korrespondenca e tij me personalitete politike, shkencore e kulturore në Amerikë dhe në vende të tjera të botës, shkrime me interes të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën, kujtime dhe shënime udhëtimesh që presin të studiohen.
Përtej ironisë, ka si të ketë të ngjarë e të jetë rastësi, që institucionet kulturore të vendlindjes e lënë në heshtje e në hije këtë personalitet të letrave shqipe, duke njohur modestinë e tij të mosreklamimit ?! Për hir të së vërtetës, heshtja institucionale duhet të thyhet edhe pse universi krijues, jeta dhe kontributi shoqëror e politik, arkivi i pasur i veprave të Peter Priftit, kanë shumë vlerë dhe janë dëshmia më e mirë se vepra e tij është e tillë që, edhe në heshtje, ka forcë e zë të flasë vetë, në çdo kohë e për çdo brez.
Referenca
1- Citimet nga: Shqiptarë në Liri-Diaspora Shqiptare në Amerikë (Studime letrare, dëshmi, bibliografi), Eleni Karamitri, botim 2017, fq. 152,165.
2- Zëra nga Diaspora – studime, portrete, dëshmi, Eleni Karamitri, 2005, fq. 7
Literaturë
https://gazetadielli.com/kujtojme-editorin-e-diellitsekretarin-e-vatres-peter-r-prifti,D.Greca,17 gusht 2018.
https://gazetadielli.com/profesor-peter-r-prifti-kontribuesi-i-pare-shqiptar-i-prestigjiozes-diturore-encyclopaedia-britannica/M. Kafilaj, 23 gusht 2023.