Kombëtarja shqiptare e futbollit u mposht 1-2 në Tiranë nga Ukraina dhe në sezonin e ri të Nations League do luajë në Ligën C, duke e mbyllur Grupin B1 me shtatë pikë në vendin e fundit.
Me 21 mijë tifozë në “Air Albania”, të besuarit e Sylvinhos pësuan dy gola në dhjetë minutat e para të sfidës dhe “u rrëzuan në tapet” nga ana psikologjike, duke mos dhuruar asgjë nga cilësitë që lojtarët kanë në mendje e këmbë.
Me brazilianin që hodhi nga minuta e parë Asanin dhe Muçin në mbështetje të Dakut, kuqezinjtë u panë jo në ekuilibër dhe lëshuan terren pas vetëm pesë minutave. Pas një aksioni të rrjedhshëm, Zinchenko me një të majtë nga jashtë zone ia ndali sferën në rrjetë Strakoshës.
Kur u mendua ringritja e tanëve, një krosim nga e majta e sulmit pa Mitajn të mos e largonte topin si duhej dhe Konoplya asistoi për Yaremchuk që nuk fali për 0-2.
Goli ishte i rëndë për tanët që panë disa raste sporadike, por pa mundur të ngacmojnë seriozisht portierin Trubin, veç një goditje të Muçit nga jashtë zone në fundin e pjesës së parë.
Fraksioni i dytë pa në fushë Uzunin dhe Bajramin, me lojën që kishte karakter më sulmues. Për fat të keq në të 49 minutë Muçi la fushën i dëmtuar, vend që u zu nga Hoxha.
Duhej minuta e 75 që Uzuni të fitonte një 11 metërsh, i kthyer në gol nga Nedim Bajrami. Paçka atmosferës dhe motivit pas golit, tanët nuk mundën të barazonin dhe humbën një ndeshje ku edhe një pikë vlente, duke parë fitoren 2-1 të Çekisë kundër Gjeorgjisë.
Kështu, Shqipëria ka bërë një edicion për t’u harruar dhe me shtatë pikë e mbyll grupin në vendin e fundit, ku sheh para vetes Gjeorgjinë që shkon në ndeshjen shtesë për mos u rrëzuar nga Liga.
Ndërkohë Çekia me 11 pikë merr kreun dhe ngjitet në Ligën A, gjë që do e tentojë në play-off edhe Ukraina si e dyta e grupit me tetë pikë.
Komentet e rëndësishme:
90+5′ Mbyllet 1-2 ndeshja në Tiranë. Kombëtarja rrëzohet në Ligën C si e fundit e Grupit B1 me shtatë pikë.
90′ Pesë minuta shtesë.
89′ Zëvendësimi i fundit te Shqipëria. Seferi merr vendin e Laçit.
87′ Ukraina rrezikon me Nazarenko, gjuajtja ndalet nga portieri Strakosha.
78′ Nedim Bajrami merr një top të shkëlqyer nga Asllani, por gjuajtja devijohet dhe shkon jashtë.
77′ Largohet nga fusha Ramadani dhe në vendin e tij futet Tuci, ekip sulmues nga Sylvinho.
75′ Nedim Bajrami nuk gabon nga penalltia, duke mposhtur portierin Trubin. Shqipëri 1-2 Ukrainë, rihapet ndeshja.
58′ Uzuni provon me të majtën, por gjuajtja nuk ka koordinatat e duhura dhe shkon jashtë.
49′ Ernest Muçi i pafat. Dëmtohet dhe lë fushën e lojës. Në vend të tij Hoxha.
46′ Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime te Shqipëria. Uzuni dhe Bajrami në fushë, marrin vendin e Dakut dhe Asanit.
45+1′ Mbyllet 0-2 pjesa e parë.
45′ Ernest Muçi i afrohet supergolit pas një lëvizje të bukur jashtë zone, por gjuajtja shkon ngjitur me shtyllën.
40′ Mudryk shpërdoron një rast të mirë pranë portës së Strakoshës, duke gjuajtur jashtë.
26′ Strakosha i mohon golin e tretë Ukrainës. Portieri i Shqipërisë reagon mirë ndaj gjuajtjes së Sudakov.
25′ Qazim Laçi i afrohet golit. Mesfushori provon me një gjuajtje të fortë në zonë, por topi gjen rrjetën e jashtme.
18′ Mundësi e mirë për kuqezinjtë. Daku merr një top në mesfushë dhe pason për Muçin, por ky i fundit bllokohet nga Zinchenko në zonë.
10′ Miqtë e nisin takimin vrullshëm me dy gola të shpejtë. Yaremchuk nuk fal në zonë me kokë, duke mposhtur sërish Strakoshën
5′ Aksion i bukur nga miqtë, Zinchenko mposht Strakoshën me të majtën. Ukraina në avantazh.
1′ Nis ndeshja në ‘Air Albania’.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Asani, Muçi, Daku Trajner: Sylvinho
Ukraina (4-1-4-1): Trubin; Mykolenko, Matviyenko, Zabarnyi, Konopia; Kaliuzhnyi; Mudryk, Sudakov, Zinchenko, Hutsuliak; Yaremchuk Trajner: Sergiy Rebrov