Një operacion po zhvillohet nga Policia e Shtetit në të gjithë Tiranën, por edhe në qytete të tjera, i koduar “USDT-1”.
Ky megaoperacion nga krimi ekonomik po kryhet në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe me urdhra të lëshuara nga Gjykata. Bëhet me dije se nga hetimet është zbuluar një rrjet i gjerë për sa i përket mashtrimeve ekonomike dhe me Kriptomonedha. Deri tani si rezultat i operacionit, policia njoftoi se janë arrestuar 17 persona gjithashtu po kryhen kontrolle në 32 objekte.
Kontrollet janë bërë në Vorë, Laknas, Kamëz, Fushë Krujë, lagjet Mëzez, Kashar, Fresk, dhe në lagje të tjera të kryeqytetit.
Policia dhe Prokuroria po ushtrojnë kontrolle edhe në pikat e shkëmbimit valutor, Exchange. Gjykata ka dhënë masa sigurie dhe prokuroria ka kërkuar ekzekutimin e tyre nga Policia, të cilat janë në proces. Gjithashtu janë sekuestruar si provë materiale kompjutera , celularë dhe shuma parash.
Njoftimi paraprak i Policisë së Shtetit për operacionin:
“Në përgjigjje të interesit të medias, mbi një operacion policor, aktualisht në zhvillim, ju sqarojmë se:
Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda speciale, po zhvillohet sot, operacioni policor i koduar “USDT-1”.
Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik së DPPSh-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër.
Në cilesinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët.